Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të dalin sot (e hënë) para trupit gjykues.
Gjykata Speciale rifillon punën pas pushimit dimëror, duke thirrur për sot (e hënë) në seancë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Procesi i rregullt do të mbahet nga e hëna në të enjten, me fillim nga ora 09:00.
Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur të pranojnë me shkrim dëshmitë e dy dëshmitarëve.
Gjatë vitit 2024 në këtë rast janë mbajtur gjithsej 107 seanca, kurse në total janë kaluar 182 ditë në sallën e gjyqit që nga fillimi i gjykimit.
Kanë dëshmuar gjithsej 110 dëshmitarë të ZPS-së.
Gjatë vitit 2023 dëshmuan 39 prej tyre dhe dëshmitari i 39-të e përfundoi dëshminë në janar të 2024-ës.
Gjatë 2024-ës kanë dëshmuar edhe 71 dëshmitarë të tjerë.
Aktualisht numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë proces është 154.