Nezir Kraki, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një postimi të bërë në Facebook, është shprehur me ‘’bindje të hekurt’’ se, Kosova nuk do të ketë stabilitet politik afatgjatë, pa u ndryshuar Kushtetuta, ‘’sidomos’’ në nenet që parashohin zgjedhjen e Presidentit.
Në postimin e tij, Kraki, ka thënë se duhet që zgjedhja e presidentit të bëhet me votim te drejtpërdrejtë nga qytetarët, gjë e cila, sipas tij, ‘’do ta çlironte postin e presidentit dhe do ta depolitizonte duke e larguar atë definitivisht nga konfiguracionet bllokuese në dëm të shtetit’’.
Kraki, po ashtu, në postimin e tij, ka sulmuar edhe Gjykatën Kushtetuese, duke aluduar se ajo s’po e mbron Kushtetutën, dhe se, kjo gjykatë, sipas deputetit të VV’së, ‘’ka vite që bën veç politikë’’.
Postimi:
Nevojë për ndryshime kushtetuese
Pas shumë analizave të sistemit kushtetues në Kosovë, mund të them me bindje të hekurt se pa u ndryshuar/amenduar kushtetuta, sidomos në nenet që parashohin zgjedhjen e Presidentit dhe atë të Kryesisë së Kuvendit, Kosova nuk do ketë stabilitet politik afatgjatë dhe as funksionim normal si shtet.
Prandaj mendoj se duhet të shkojmë drejt një reforme të sistemit sepse origjina e problemeve dhe pengesave është sistemike, jo politike. Politika i shfrytëzon pikërisht defektet e sistemeve për t’i realizuar qëllimet e veta. Por, duke qenë se qëllimet e politikes nuk janë gjithëmonë në përputhje me pritjet dhe nevojat e qytetarit atëherë sistemi duhet të jetë më i fortë se politika. Vetëm sistemi garanton respektim të kushtetutes, jo partitë politike as gjykatat.
Është absurde të pritet që në çdo rrethanë partitë politike ta mbrojnë kushtetuten sikurse është absurde të pritet që ajo të mbrohet nga Gjykata kushtetuese aktuale e cila ka vite që bën veç politikë. Atëherë, krejt ligjikshëm na del se mbrojtja më e mirë e kushtetutës është qartësimi dhe konsolidimi në sistem i normave të saj në mënyrë që askush, as politika dhe as gjykatat të mos kenë shans t’i dhunojnë apo t’i keqinterpretojnë ato.
Këto ndryshime do ta nxirnin Kosovën nga mjegulla normative e cila është shtresëzuar ndër vite. Kur kushtetuta ia rezervon fituesit të zgjedhjeve postin e Kryetarit të Kuvendit dhe në të njejtën kohë e kushtëzon atë ekskluzivitet me pajtim e votim nga humbësit kjo nuk është normë kushtetuese por absurditet sui generis. Siç ësbtë super absurditet edhe « kuorumi presidencial » me 80 deputetë kur zgjedhet presidenti. Sepse, nuk mund të kërkosh president apolltik dhe unifikues kur zgjedhjen e tij e kushtëzon me aranzhime politike që mund të nxjerrin veç president politik.
Atëherë cila do t’ishte zgjidhja?
1) Heqja e votimit për Kryesinë e Kuvendit. Postet plotësohen me propozime/delegime nga partitë të cilat i fitojnë ato sipas rezultatit të zgjedhjeve. Fiks siç ka qenë me Kornizen kushtetuese, duke e ruajtur numrin aktual të anëtarëve. Kështu, Kuvendi e reflekton vullnetin e qytetarëve me automatizem dhe ndarja e posteve korrespondon me peshen e votës. Fiks themeli i demokracisë.
2) Zgjedhja e presidentit me votim te drejtpërdrejtë nga qytetarët, për mandat 5 vjeçar në modelin e Maqedonisë së Veriut. Kjo do ta çlironte postin e presidentit dhe do ta depolitizonte duke e larguar atë definitivisht nga konfiguracionet bllokuese në dëm të shtetit. Edhe këtu do respektohej vullneti i qytetarëve dhe presidenti do kishte më shumë autonomi në gjykim e veprim.
Këto ndryshime nuk do ta cenonin as interesin e partive as atë të pakicave dhe jam i bindur që do kalonin pa problem.
Nejse, edhe këtë herë po kalojmë por mirë do t’ishte të bëhemi gati për vitet e ardhshme.






