Balazs Orban, shefi i kabinetit të kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka korrigjuar hartën që e kishte publikuar në rrjetin e tij social “X” e ku e kishte paraqitur Kosovën si pjesë e Serbisë.
“Mediumi ’Nemzeti Sport Online’ ka korrigjuar hartën e publikuar më herët, duke përfshirë edhe numrin e medaljeve të fituara nga sportistët nga Republika e Kosovës. Në dritën e këtyre zhvillimeve edhe Drejtori Politik i Zyrës së KM të Hungarisë, z. Balazs Orban, ka fshirë mesazhin e publikuar në platformën X me datë 12 gusht 2024”, thuhet në një përgjigje me shkrim të MPJ-së për Albanian Post.
Orban, shefi i kabinetit të kryeministri hungarez, Viktor Orban, pati shpërndarë një hartë të medaljeve olimpike të fituara nga shtetet e Ballkanit dhe aty pjesa e Kosovës ishte e vendosur nën pjesën e Serbisë.
Gjithashtu, medaljet e fituara nga Kosova nuk ishin të numëruara fare, mirëpo vetëm medaljet e Serbisë dhe shteteve të tjera.
Ndërkaq i menjëhershëm kishte qenë reagimi i ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
“Harta e medaljeve olimpike të qeverisë hungareze duket se pasqyron një realitet fiktiv”, shkroi ai në platformën “X”.
“Vendi i merituar i Kosovës në hartë, së bashku me medaljet e fituara, është i pamohueshëm dhe këtu për të qëndruar. Më mirë fat herën tjetër me gjeografinë”, shtoi.
Kosova është renditur e 73-ta në Paris, pasi ka fituar dy medalje, një të argjendtë dhe një të bronztë.
Sportistët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dolën në vendin e parë të listës së vendeve të cilët morën më së shumti medalje të arta.
SHBA-ja doli në vend të parë me 40 medalje të arta, 44 të argjendta e 42 të bronzta, e gjithsej 126 medalje të fituara