Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim kundër ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla dhe deputetëve të Vetëvendosjes Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba, të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës dhe urdhri vazhdon të jetë në fuqi.
Këta tre kishin munguar në seancën e datës 16.09.2025 dhe mungesën e tyre nuk e kishin arsyetuar, prandaj gjykata ka lëshuar urdhrin për sjellje me detyrim.
Seanca e radhës do të mbahet pas dy ditësh, më 31.10.2025.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, në një përgjigje për Gazetën Express tha se gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e mëtejme procedurale për të siguruar prezencën e të pandehurve në seancën e radhës.
“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, është duke u zhvilluar procedura penale kundër të pandehurve, D.M., XH.S., S.Z., dhe F.P.D, për shkak që secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 1 dhe veprës penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare nga neni 409 paragrafi të KPRK-së. Gjyqtari i kësaj çështje penale, për shkak se të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S kishin munguar në seancën e datës 16.09.2025 dhe mungesën e tyre nuk e kishin arsyetuar, ka vendosur jashtë seancës dhe ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S”, tha ajo.
Urdhëresën do ta ekzekutojë Policia e Kosovës.
Sveçla, Pacolli-Dalipi, Zyba, si dhe ish-deputetja Drita Millaku akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit






