Ekzistenca apo jo e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është kthyer sërish temë.
Ndonëse ish-drejtues të lartë të UÇK-së kanë deklaruar se nuk ka pasur arkiva, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti për çështjen e kategorive të dala nga lufta, Aziz Bici, ka deklaruar se UÇK-ja ka pasur arkiv dhe se i njëjti ende ekziston, shkruan Demokracia.com.
Ai ka deklaruar se secili komandant i zonave operative ka mbajtur arkiv.
Bici beson se listat aktuale të veteranëve janë të fryra, derisa thotë se për këtë gjë di edhe raste konkrete.
“Më së shumti që nuk mund të pajtohem me lista të fryra është se ata nuk kanë prekur as punë me dorë dhe le më armë”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Ai ka folur edhe për propozimin e kryeministrit Kurti për një ligj të ri për verifikimin e veteranëve të luftës i cili, sipas tij, ka për synim ta gjejë të vërtetën për luftën.
“Nuk do t’i rrisim kriteret, por do ta gjejmë të vërtetën. Ne jemi gjallë, e dimë se si dhe çfarë ka ndodhur, do ta nxjerrim të vërtetën e luftës”.
Bici pohon se njeh raste konkrete kur disa persona nuk kanë pranuar t’i kryejnë disa punë të kërkuara nga UÇK-ja, siç janë hapja e bunkerëve, vëzhgimi apo kujdestaria, dhe tash ata, siç thotë ai, janë futur në listat e veteranëve.
Por muaj më parë ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku ka folur për ekzistencën ose jo të arkivave të UÇK-së, për çka zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ishte deklaruar se janë dakorduar me palën serbe për hapjen e arkivave shtetërore, përfshirë edhe ato për UÇK-në, në takimet e 7 dhe 8 tetorit të vitit të kaluar në Bruksel.
Ish komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, ka thënë se nuk ka arkiva të tilla, sepse Kosova ka qenë gjithmonë e hapur dhe kjo është diçka e pakuptimtë.
“Jo UÇK-ja s’ka arkiva të tilla, ka arkiv shtetëror, por ne absolutisht s’kemi çka hapim, ne jemi kanë gjithmonë të hapur, nuk ka asgjë që ne kemi fshehur, kështu që ajo është diçka e pakuptimtë”, ka deklaruar Çeku.
Ai kishte deklaruar se arkiva të tilla nuk ka dhe se tërë bota e di se kush është agresori dhe kush viktima dhe se UÇK-ja nuk ka pasur as politikë e as veprime të tilla kriminale.
“Absolutisht s’ka arkiva të tilla dhe s’ka çka me pasë arkiva të tilla, sepse KRlMET kanë qenë sistematike, strukturore të Serbisë, të kryera nga shteti dhe UÇK nuk ka bërë krime të tilla dhe prandaj nuk ka arkivë të tillë. Nuk mund të vihet në pyetje barazimi mes tyre, sepse krejt bota e di se KRlMET i ka bërë Serbia në mënyrë sistematike, të strukturuar, organizuar dhe janë kryer nga aparati shtetëror, kurse UÇK-ja nuk ka pasur as synim dhe as politikë të tillë e as veprime të tilla”, ka thënë Çeku.
Agim Çeku po ashtu ka deklaruar se Serbia mund të vijë lirisht të shikojë në arkivat shtetërore, sepse nuk ka asgjë, por nëse hapen arkivat serbe, ai ka thënë se do të dokumentohen krimet e mëdha serbe që janë bërë dhe se ato do të ndihmojë edhe krerët e UÇK-së që po përballen me akuza nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Nuk ka asgjë, Serbia le të vijë e të shikojë arkivat shtetërore, sepse s’ka asgjë që mund të lidhet ngase s’ka ndodhë asgjë. Por nëse hapen arkivat e Serbisë dhe duhet të hapen ato, ose kurdo që hapen arkivat serbe, sigurisht se do të dokumentohen KRlMET e mëdha dhe do të ndihmojnë edhe bashkëluftëtarët tanë në Hagë, sepse do të shihet se kush është agresori, kush krimineli, çfarë krime makabre kanë bërë ata, përderisa nga ana jonë nuk ka asgjë të tillë dhe nuk ka asgjë që Kosova e fshehë, sepse Iufta jonë ka qenë Iuftë çlirimtare dhe nuk ka diçka që ne kemi bërë e që fshihet nga opinioni, qoftë ai vendor apo edhe ai ndërkombëtar”, ka deklaruar Çeku.
Në kohën sa po bëhej ky debat, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, kishte deklaruar se “ajo që është e rëndësishme, është, se është bërë përparim në çështjen e personave të zhdukur dhe se Prishtina më në fund e ka pranuar ekzistencën e arkivave të UÇK-së”, gjë ka sjellë reagime të shumta në Kosovë.
Pos Çekut edhe shumë ish-komandantë të tjerë të UÇK-së deklaruan se kjo ushtri nuk ka arkiva.