Pas ambasadës gjermane, edhe ambasada franceze në Kosovë ka reaguar ndaj përpjekjeve për ta politizuar zbarkimin e sotëm të një ekipi të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit.
Ambasadori francez, Olivier Guerot, ka dalë në mbështetje të plotë të misionit të NATO-s në Kosovë, duke theksuar se KFOR-i ka një rol të pazëvendësueshëm dhe meriton respektin e të gjithë aktorëve në rajon.
“Franca mbështet plotësisht KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e sigurisë për të gjithë. Meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë t’i ofrojë atij gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike,” ka deklaruar Guerot në rrjetin social “X”.
Ai gjithashtu ka përgëzuar mediat që kanë raportuar me saktësi për rolin e KFOR-it në operacionin për kërkimin e trupit të Rrahim Latifit, i cili u zhduk në Liqenin e Gazivodës dhe më pas u gjet nga njësitë e FSK-së.
Qasja e partisë në pushtet ka nxitur reagime, pasi Lëvizja Vetëvendosje, përmes disa postimeve të zyrtarëve të saj, tentoi ta paraqesë operacionin si një arritje të FSK-së, duke theksuar se ishte hera e parë që ajo kishte hyrë në veri të vendit.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, publikoi fotografi nga operacioni në faqen e tij zyrtare në Facebook, por pa përfshirë imazhet që tregonin se FSK-ja ishte e shoqëruar nga automjetet e KFOR-it.