0.5 C
New York
Tuesday, December 30, 2025

Buy now

”Pas 45 minutash hapi sytë” – Mjeku nga Peja i shpëton mrekullisht jetën në aeroplan një të riu amerikan

- Advertisement -

Këto fjalë përmbledhin momentet dramatike të një fluturimi transatlantik nga Vjena drejt New York-ut, ku një akt humanizmi i një kosovari u kthye në mrekulli.

Protagonist është Malë Dautaj, mjek nga Peja, i cili me profesionalizëm dhe guxim arriti të shpëtojë jetën e një të riu amerikan.

Në aeroplanin e mbushur me udhëtarë, mjeku nga Kosova u gjend në këtë situatë emergjente gjatë një fluturimi, e para që i kishte ndodhur në jetë.

Këtë përvojë të jashtëzakonshme, që ai e përjetoi me përgjegjësi të madhe, por edhe me krenari profesionale, Malë Dautaj, e ndau në një rrëfim.

Ai tregoi fillimisht momentin kur u kërkua ndihmë për pasagjerin, gjendja shëndetësore e të cilit po përkeqësohej me shpejtësi dhe pothuajse ishte pa shenja jete.

“Rreth orës 16:00 pasdite, gjatë fluturimit mbi oqean, në aeroplanin e Vjenës duke shkuar në Nju Jork, kam vërejtur një situatë emergjente në mes të kabinës. Një djalë kishte filluar të përkeqësohej dhe u kërkua menjëherë ndihmë.”

Në ato çaste kritike, Dautaj iu afrua pacientit dhe e kuptoi menjëherë seriozitetin e gjendjes së tij.

“U afrova pranë pacientit dhe vërejta se në ato momente ishte i shtrirë, pothuajse pa shenja jete. Fillimisht e tërhoqëm drejt pjesës së përparme të aeroplanit, ku u shtri për të mundësuar ndërhyrje më të sigurt.”

Përballë një situate ku çdo sekondë ishte vendimtare, përgjegjësia që mori mbi vete ishte jetike për fatin e të riut amerikan.

Ai rrëfeu tutje se intervenimi ishte i domosdoshëm për ta kthyer pacientin në jetë.

Ndërhyrjen e realizoi me pajisjet personale që kishte me vete, si dhe me mjetet e ofruara nga ekuipazhi i avionit.

“Vrapova për të marrë mjetet nga çanta ime personale dhe më pas kërkova nga ekuipazhi çantat me pajisjet e nevojshme. Me ndihmën e një djalit që më asistoi gjatë gjithë kohës, filluam trajtimin emergjent. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe, por ishte e domosdoshme ta kthenim pacientin në jetë, përndryshe situata do të ishte fatale”, tha ai për Klan Kosovën.

Përpjekjet zgjatën pothuajse një orë dhe falë reanimimit të pandërprerë dhe përkushtimit maksimal, i riu buzëqeshi.

Momentet e rikthimit në jetë të tij u shoqëruan me duartrokitje nga pasagjerët, ndërsa për mjekun nga Kosova me 27 vjet përvojë pune, ky ishte shpërblimi më i madh emocional dhe profesional.

“Vura re se pacientit i mungonte oksigjeni. Pas rreth 45 minutash reanimimi dhe ndërhyrjeje të vazhdueshme, pacienti hapi sytë dhe dhuroi buzëqeshjen e parë, moment që ishte jashtëzakonisht prekës. Pas kësaj, duartrokitjet që mora, ishin vërtetë impresionuese, pasi ishte hera e parë që bëra një veprim të tillë në aeroplan. U ndjeva me të vërtetë i lumtur.” – përfundoi Dautaj rrëfimin

Të ngjashme

Të fundit