Të gjitha partitë politike kanë bërë publike listat e emrave me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë.
Në PDK, listën e prin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Në dhjetëshen e parë të kësaj partie kombinohen figura të mirënjohura të partisë si Uran Ismaili, Vlora Çitaku dhe Enver Hoxhaj dhe emra të rinj por të njohur në opinionin me angazhimet e tyre si Arben Mustafa, Besa Kabashi Ramaj dhe Sala Jashari.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës hyn në garë me kryetarin Lumir Abdixhiku në krye të listës. Formacioni i LDK-së në top-dhjetëshe përfshin disa nga figura kyçe të partisë.

Në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës prin kreu i saj, njëherësh kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj. Në top dhjetëshen e kësaj partie spikasin gjithashtu figura të njohura të partisë si Besnik Tahiri, Time Kadrijaj dhe Bekë Berisha.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë gjithashtu publike listën e kandidatëve të kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lista përbëhet nga 110 kandidatë dhe kryesohet nga vetë Limaj. Pas tij, në pesëshen e parë renditen Xhevahire Izmaku, Arbëreshë Krasniqi, Mevludin Krasniqi dhe Endrit Shala.

Vetëvendosja e ka publikuar e fundit listën e kandidatëve me të cilët do t’u kërkohet vota qytetarëve më 28 dhjetor. Në top-dhjetëshe spikasin shumica e ish-ministrave në qeverinë Kurti 2.







