Politikanët kosovarë pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, folën edhe për deklarimet e presidentit amerikan, Donald Trump. Të pakontestueshëm e quajtën bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Partitë politike nuk patën qëndrime të ndara vetëm për bllokimin e konstituimit, por edhe për deklarimin e presidentit amerikan, Donald Trump, kur në postimin e tij të fundit mbi konfliktin mes Izraelit dhe Iranit përmendi ndërmjetësimin dhe rolin e shtetit që drejton në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Për Mimoza Kusarin nga Vetëvendosje, SHBA mbetet pakontestueshëm partneri më strategjik, ndërsa reagimet e liderëve partiakë mbi qëndrimet e Trumpit i quajti keqpërdorim për çështje politike të brendshme.
Por kështu nuk mendojnë opozitarët e deritashëm. Për ta, Vetëvendosje po sillet papërgjegjshëm, duke lënë vendin pa institucione në kohën kur mund të ketë një qasje proaktive të Amerikës për një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë.
Deklarimin e Trumpit e komentoi edhe deputeti nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq.
Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, ishin pajtuar që t’i zbatonin një sërë marrëveshjesh të arritura më parë. Kryeministri i Kosovës në atë kohë, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nënshkruan marrëveshjen në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.