23.9 C
New York
Thursday, June 5, 2025

Buy now

Partitë kanë filluar përgatitjet për Zgjedhjet Lokale, pengesë niveli qendror

- Advertisement -

Partitë politike në vend ende nuk kanë arritur të formojnë institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, por kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale.

LDK-ja është treguar më aktive në këtë drejtim. Kryetari i saj Lumir Abdixhiku ka deklaruar se fokusin tash e tutje do ta kenë zgjedhjet lokale.

Kjo parti ka konfirmuar se Përparim Rama do të jetë sërish kandidat për kryetar të Prishtinës, ndërsa në Gjilan është konfirmuar kandidatura e Arbër Ismajlit.

Duarkryq nuk qëndroi as LVV-ja, e cila ka njoftuar se do t’i rikandidojë kryetarët aktualë në Podujevë dhe Kamenicë.

Më pasive deri tani janë PDK dhe AAK.

Për këta të fundit, jozyrtarisht është raportuar në media se për Prishtinën do të kandidojë deputeti Bekë Berisha që nuk ishte i qasshëm për televizionin pasditen e së premtes.

Por përgatitjet për këto zgjedhje, sipas Qëndrim Hoxhës nga LDA Europe, organizatë që monitoron punën e komunave, fushata po pengohet nga bllokada politike në nivel qendror. Megjithatë, ai thotë se një fushatë e heshtur tashmë ka filluar.

“Tashmë, realisht mund të themi që të gjitha subjektet politike kanë filluar me një fushatë të heshtur parazgjedhore, sa i përket organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve, data e përafërt e të cilave tashmë dihet”, ka thënë Qëndrim Hoxha, LDA Europe.

Hoxha shton se pritet që në shumë komuna të ketë kandidatë nga figurat qendrore të partive, veçanërisht në kryeqytet.

“Partitë politike janë munduar gjithmonë që figurat e tyre të njohura në nivel nacional t’i vendosin si kandidatë për kryetarë komunash, që të marrin më lehtë besimin e elektoratit”, ka thënë Qëndrim Hoxha, LDA Europe.

Ndërkohë, analisti politik Albinot Maloku vlerëson se fitorja në zgjedhjet lokale do të varet nga personat që do të kandidojnë, e jo domosdoshmërisht nga fakti nëse janë figura qendrore të partisë, por nga lidhja që kanë me komunën ku garojnë.

“Varet krejt nga personat që do të nxjerrin. A mund të jenë të njohur për opinionin publik? Po, mund të jenë. Kjo do të ndodhë më shumë në subjektet që nuk kanë bastione, sepse mbajnë shpresë tek këto figura”, ka thënë Albinot Maloku, analist politik.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pritet të caktojë datën e zgjedhjeve lokale gjatë muajit qershor ndërkaq zgjedhjet e kaluara lokale u mbajtën në muajin tetor. /Dukagjini/

Të ngjashme

Të fundit