Përpos Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka koalicion me Listës GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), partitë tjera të mëdha në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë të vetme, me disa individ ose parti të vogla të cilat janë bërë pjesë e listës për deputetë.
PDK, LDK, AAK e NISMA, si parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare llogarisin vetëm në forcat e veta.
Për analistin Muhamet Hajrullahu, fakti se NISMA nuk ka arritur koalicion as me LDK-në e me asnjë parti tjetër, ka qenë befasi.
Të pa natyrshme sipas tij janë edhe koalicionet e Lëvizjes Vetëvendosje me disa parti të vogla, por në anën tjetër edhe bashkimi i Eman Rrahmanit në listën e PDK-së, e Ferid Agani i cili i është bashkuar listës së LDK-së.
“Kjo tregon për mua njëfarë lloj pazari në momentet e fundit pra që nuk janë këto bashkime as me ideologji as bashkime që i lidh shumë njëra me tjetrën, kjo tregon se të gjitha këto subjekte, edhe të voglat, edhe të mëdhatë po tentojnë, ose tentuan që në momentet e fundit të marrin nga pak vota kudo që është e mundshme në Kosovë dhe kjo tregon që ata nuk janë bashkuar për ideologji apo bashkim për interesa nacionale a ku ta di unë por janë interesa të momentit të fundit të cilët mund të përfundojnë ndonjë votë”, ka thënë Muhamet Hajrullahu – Analist.
Hajrullahu nuk pret ndryshime në listën për deputet as në këto zgjedhje, ndërsa vlerëson se decentralizimi i të drejtës për të propozuar kandidatët për deputet, në degët nëpër qytete e shpërndanë edhe përgjegjësinë për rezultatet, çfarëdo që janë ato.
Analisti tjetër politik, Bekim Kabashi thotë se partitë politike kanë nxjerrë mësime dhe kanë marrë llogari nga terreni, dhe po tentojnë t’i shmangin bashkëpunimet që nuk i do elektorati dhe strukturat.
Kjo vlen edhe për koalicionet por edhe për listën për deputet.
“Kanë mësu nga gabimet e zgjedhjeve të kaluar, dëmet që i kanë pësu, shembull AAK, është dëmtu nga NISMA sesa që ka përfitu prej saj edhe pse me atë qëllim ka hy në atë koalicion parazgjedhor ngjashëm ka ndodh një problem tjetër me LDK-në, përcaktimi i listës për deputet nga ana e kryetarit, Lumiri edhe pse e ka me statut që ka të drejtë, i ka paraqit problemet e brendshme që nuk kanë qenë të vogla edhe tash ka shku me seanimin e tij problemi që mos me pasë një klimë të tensionume të polirazume brenda subjektit të tij politik dhe ua ka lënë të hapur kryesisë që ta përcaktojë listën”, ka thënë Bekim Kabashi – Analist.
Partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor që t’i dorëzojnë në KQZ listat për deputetë me të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. /Dukagjini/






