Drejtuesit e 6 qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje në shtete të ndryshme, janë ‘ofenduar’ në mënyrë të paprecedentë nga partia e tyre me bazë në Kosovë, që drejtohet nga Albin Kurti, shkruan Periskopi.
Qendrat e Vetëvendosjes në Britani, Gjermani, Suedi, SHBA, Francë, Norvegji – nuk janë lejuar nga drejtuesit e partisë së tyre në Kosovë që të përgatisin personalisht dhe sipas këndvështrimit të tyre ankesat e tyre kundër vendimit të KQZ-së për disa çështje të votimit jashtë Kosovës.
Përveç farsës së këtij procesi ankimor, në ankesat e këtyre qendrave të Vetëvendosjes vërehet lehtësisht se teksti është i njëjtë me atë të ankesës që Lëvizja Vetëvendosje me seli në Prishtinë e ka parashtruar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të KQZ-së.
Periskopi ka siguruar të gjitha ankesat e paraqitura nga degët qendrat e Vetëvendosjes në këto shtete dhe asnjë nga këto ankesa nuk dallojnë në përmbajtje.
Këto ankesa janë një dëshmi se pavarësisht se këto qendra janë të vendosura në vende përparimtare dhe me liri të madhe të veprimit, Vetëvendosje i llogaritë përfaqësuesit e tyre si analfabetë, që nuk janë të aftë as të shkruajnë një ankesë me shqetësimet apo papajtushmëritë e tyre.
Teksti njëjtë, është vetëm njëri nga detajet e sjelljes ofenduese të Vetëvendosjes me degët e saj në diasporë, pasi që siç mund të shihet në ankesën e qendrës në Norvegji dhe asaj në Francë, u ka mbetur emri i Seretarit të VV-së, Alim Ramës, dhe nuk figurojnë emrat e përfaqësuesve të degëve në këto shtete.
“Shkruesit” kanë harruar që ankesës së Norvegjisë dhe Francës t’ia ndryshojnë adresën se ku është përgatitur shkresa. Në fund të “ankesës” figuron “Prishtinë 31 gusht 2024”.
Degët në SHBA, Suedi, Gjermani dhe Britani e Madhe, janë treguar “më të kujdsesshme”, pasi në fund e kanë zëvendësuar emrin e Alim Ramës me të përfaqësuesve të tjerë dhe emrin e Prishtinës me të qyteteve tjera.
Ankesa e Lëvzjes Vetëvendosje kundër vendimit të KQZ-së që cakton numrin maksimal të votuesve është e çuditshme pasi që të gjithë deputetët e kësaj partie kanë votuar Ligjin për zgjedhjet, i cili parasheh që KQZ-ja të caktojë numrin maksimal të votuesve dhe të vendvotimeve në secilën përfaqësi diplomatike duke u mbështetur në hapësirat fizike të tyre. /PERISKOPI/