Parma ka shkaktuar një surprizë të madhe në javën e 33-të të Serie A duke mposhtur Juventusin me rezultat minimal 1-0 në “Ennio Tardini”, një fitore që jo vetëm ngrit moralin e skuadrës, por edhe përkeqëson pozitën e “Zonjës së Vjetër” në garën për top katërshe.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në fundin e pjesës së parë, në minutën 45+1. Ishte Pellegrino ai që finalizoi saktë pas një asisti nga Valeri, duke e çuar në ekstazë publikun vendas.
Parma, që po lufton për mbijetesë, tregoi disiplinë dhe luftë në çdo cep të fushës, duke mos i lënë hapësira një Juventusi që vuajti në ndërtim dhe konkretizim.
Pas kësaj humbjeje, Juventus mbetet në vendin e pestë me 59 pikë, duke rrezikuar të mbetet jashtë zonës së Ligës së Kampionëve, ndërkohë që Parma ngjitet në kuotën e 31 pikëve dhe merr frymë më lirshëm në vendin e 15-të.