Ruben Amorim tani ka pësuar humbjen e dytë me radhë, prej kur mori drejtimin e Djajve të Kuq.
Përballja në Old Trafford u dominua nga Manchester United, sidomos në posedim të topit, por gabimet individuale ishin të kushtueshme.
Goli i parë në këtë ndeshje u shënua shumë herët: Forest kaloi në epërsi në minutën e dytë me golin e Milenkovic.
Manchester Unitedi arriti të kthehej në lojë, pasi Hojlund barazoi rezultatin në minutën e 18-të.
Me rezultatin 1:1 u mbyll pjesa e parë, teksa në pjesën e dytë u shënuan tre gola të tjerë.
Gibbs-White e riktheu epërsinë për mysafirët në minutën e 47-të, pasi goditja e tij shkoi në rrjetë pas një reagimi katastrofal të Onanas.
Onana sërish nuk reagoi mirë, kur Nottingham Forest shënoi për 3:1. Wood realizoi në minutën e 54-të pas asistimit të Gibbs-White.
Krejt çfarë Manchester Unitedi bëri në vazhdim në këtë përballje ishte goli i realizuar nga Bruno Fernandes për rezultatin 3:2, i shënuar në minutën e 61-të.
Djajtë e Kuq tani kanë pësuar humbjen e gjashtë sezonale në Premierligë dhe të dytën me radhë në krye me trajnerin Ruben Amorim, teksa janë në vendin e 13-të pas 15 ndeshjeve të zhvilluara.