5.5 C
New York
Saturday, March 15, 2025

Buy now

Paralajmërojnë njohësit e ekonomisë: Vonesa në formimin e Qeverisë ka pasoja të mëdha, do të jetë vit i vështirë

- Advertisement -

Qytetarët e vendit tash e një kohë janë duke u përballur me vështirësi të shumta sa i përket aspektit ekonomik, duke pasur jo pak telashe me menaxhimin në përmbushjen edhe të nevojave elementare.

Kritika e pakënaqësi të shumta shfaqen nga ta, që kanë të bëjnë kryesisht me rritjen e çmimeve në çdo aspekt, përfshirë këtu edhe çmimet e gjërave ushqimore.

Kjo krizë ekonomike që ka kapluar vendin vazhdon të jetë e rëndë dhe çështje diskutimi në sferat publike.

Lidhur me aspektin ekonomik dhe për pasojat në ekonomi si rrjedhojë e vonesës së krijimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është diskutuar në emisionin “EURO n’T7”.

Ekspertët e ekonomisë kanë konstatuar se vonesat në formimin e qeverisë mund të kenë pasoja katastrofale, pasi edhe gjatë mandatit katërvjeçar, ekonomia nuk ka qenë prioritet i qeverisë Kurti.

Ilir Ibrahimi nga Klubi i Bizneseve ka theksuar se situata politike e paqartë mund të ketë pasoja të paparashikueshme për ekonominë.

“Mungesën e qeverisë bizneset e ndjejnë menjëherë, pasi nuk kanë informacione për drejtimin e politikave të reja. Koha pas zgjedhjeve dhe deri në krijimin e qeverisë shkakton pasoja të mëdha në ekonomi, veçanërisht në Kosovë, për shkak të varësisë nga investimet kapitale të qeverisë. Kjo vonesë tashmë po vërehet me mungesë të likuiditetit në sektorin financiar dhe bizneset, duke ndikuar edhe në stagnimin e mëtejshëm të investimeve të huaja”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, bizneset po hezitojnë të investojnë për shkak të pritjeve për prioritetet e qeverisë së re.

“Në aspektin ekonomik, kjo bllokadë politike do të ketë ndikim të madh. Unë pres që përpara nesh të kemi një vit të vështirë ekonomik”, përfundoi ai.

Në të njëjtin emision, profesori universitar Medain Hashani tha se qeveria Kurti ka qenë pa vizion ekonomik dhe e përqendruar vetëm në Mitrovicën e Veriut, duke lënë pas dore pjesën tjetër të vendit.

“Qytetarët presin rritjen e pagave dhe përballimin e inflacionit, bizneset presin ndryshime në politikat fiskale dhe heqjen e TVSH-së në dogana, por të gjithë janë në pritje të qeverisë së re. Ky vit do të jetë i vështirë për qytetarët dhe bizneset”, tha ai.

Hashani paralajmëroi se çdo vonesë në krijimin e qeverisë do të sjellë pasoja të paparashikueshme në ekonomi, e cila për katër vjet nuk ishte prioritet.

Sipas tij, kjo situatë po rëndohet edhe më shumë nga qëndrimet egoiste të liderëve politikë.

“Lideri i LDK-së po vendos interesat personale para atyre shtetërore, duke kërkuar me çdo kusht postin e kryeministrit. Ndërkohë, Hamza dhe Haradinaj janë shprehur të hapur për negociata për krijimin e një qeverie të re opozitare, pasi është e qartë se Kurti dhe minoritetet joserbe nuk i kanë votat e nevojshme”, tha Hashani.

Edhe profesori Shkumbin Misini tha se dëmet nga vonesa e formimit të qeverisë tashmë janë evidente.

“Investimet kapitale për vitin 2025 pothuajse nuk kanë filluar fare dhe kemi rënie të remitencave. Kostoja e jetesës po rritet vazhdimisht, ndërsa liderët politikë vetëm vendosin kushte për postin e kryeministrit”, tha ai.

Sipas Misinit, situata ekonomike është alarmante.

“Në vitin 2024, problemi kryesor ka qenë rritja e kostos së jetesës. Nuk e kuptoj politikanët tanë, a janë këtu për të na i zgjidhur problemet apo për t’i rënduar edhe më shumë? Kosova është vendi më i varfër dhe me nivelin më të lartë të migrimit në rajon. Nuk kemi luksin të vonojmë krijimin e institucioneve”, theksoi ai.

Thirrja e profesorit Misini është e qartë: politikanët duhet të lënë anash interesat personale dhe të prioritizojnë interesat e qytetarëve.

Profesori Bashkim Mustafa tha se qytetarët janë të zhytur në krizë ekonomike dhe sociale, e cila po rëndohet nga vonesat në krijimin e qeverisë.

“Qytetarët po përballen me çmime të papërballueshme dhe rritje të kostos së jetesës, ndërsa pagat nuk janë rritur aq sa vlera e inflacionit. Mësuesit, punonjësit shëndetësorë, policia, pensionistët dhe kategoritë e dala nga lufta po presin qeverinë e re për të rritur pagat dhe për të përballuar inflacionin”, tha ai.

Sipas Mustafës, rezultati zgjedhor nuk ka prodhuar ndonjë ndryshim të madh, por vonesat po e përkeqësojnë situatën ekonomike.

“Paqartësia politike do të thellojë edhe më shumë krizën ekonomike dhe sociale, do të ngadalësojë investimet kapitale dhe do të vonojë projektet infrastrukturore. Jemi në muajin e tretë të vitit dhe ende nuk ka lëvizje për hapjen e tenderëve apo nisjen e punimeve. Qytetarët janë ata që po e vuajnë këtë më së shumti, ndërsa barra kryesore bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit”, theksoi ai.

Mustafa sugjeroi që, nëse partia fituese nuk arrin të formojë qeverinë, atëherë partitë opozitare duhet të marrin përgjegjësinë për ta bërë këtë sa më parë, për të shmangur dëmet e mëtejshme ekonomike.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit