Sipas KESCO-s, vetëm për import të energjisë elektrike pritet të shpenzohen rreth 230 milionë euro, pasi importi do të përbëjë rreth 9% të nevojës totale për vitin e ardhshëm. Përveç kësaj, kompanitë energjetike kanë kalkuluar shpenzime për mirëmbajtje, kostot e bartshme dhe korrigjime të tjera që përfshijnë rreth 50 milionë euro, duke çuar kërkesën finale për të hyrat e lejuara në 528.78 milionë euro.
Propozimi i ZRRE-së për rritjen rreth 21% të çmimit të energjisë elektrike vjen vetëm një vit pas një shtrenjtimi prej 16,1%, duke shkaktuar shqetësime të thella për efektin e saj mbi buxhetet familjare, funksionimin e bizneseve dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë vendore. 3
Ekspertët paralajmërojnë se kjo rritje mund të reflektohet në çmime më të larta të produkteve dhe shërbimeve, duke rrezikuar fuqinë blerëse të qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, një rritje eventuale e çmimit të rrymës, sipas kërkesës së ZRRE-së, do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën.
Ai për FrontOnline tha se vendi rrezikon të humbasë investimet dhe interesimin e investitorëve të huaj, pasi do të shndërrohej në një nga vendet më të shtrenjta në Evropë për sa i përket kostos së infrastrukturës dhe energjisë.
‘’Rritje eventuale e rrymës sipas kërkesës se ZRrE është e keqe për Kosovën. Kosova do të humb gjithçka sa i përket investimeve dhe investitorëve te huaj, sepse Kosova do te behet me e shtrenjta ne Evropë sa i përket infrastrukturës fizike’’, tha i pari i AKB-së.
Sipas Shahinit, bizneset prodhuese do të detyroheshin të zhvendosin kapitalin e tyre drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa qytetarët do të përballeshin me varfërim edhe më të theksuar.
‘’Me këtë ne detyrohemi bizneset prodhuese ta bartin kapitalin e vet ne Ballkanin perëndimor dhe qytetaret do te varfërohen edhe me shumë’’, deklaroi Shahini.
Shahini vlerëson se kjo situatë do të rrezikonte stabilitetin ekonomik, do të dobësonte konkurrencën vendore dhe do të dekurajonte investimet e huaja. Në këto rrethana, Kosova rrezikon të bëhet lider rajonal për energjinë më të shtrenjtë, pavarësisht se posedon rezerva të mëdha të thëngjillit.
Ish-ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Ismet Mulaj, thotë për FrontOnline se rritja e çmimit të rrymës do të rrisë menjëherë shpenzimet e bizneseve, veçanërisht atyre prodhuese që varen drejtpërdrejt nga energjia elektrike.
“Rritja 21 për qind e çmimit të rrymës i rrit menjëherë shpenzimet, sidomos për bizneset prodhuese që varen drejtpërdrejt nga energjia. Edhe shërbimet preken, por pak më butë’’, ka deklaruar Mulaj.
Sipas ish ministrit Mulaj, bizneset me marzhe të ulëta fitimi nuk kanë kapacitete financiare për ta përballuar këtë barrë shtesë pa e transferuar atë te konsumatori.
Mulaj paralajmëron se kjo rritje mund të ndikojë edhe në rritjen e inflacionit dhe dobësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve, duke e cilësuar situatën si rrezik për stabilitetin ekonomik.
“Është rrezik real. Çmime më të larta nënkuptojnë fuqi blerëse më të ulët dhe konsum më të dobët. Rritja e çmimit të energjisë elektrike është bërë trend dhe kjo ndikon negativisht në stabilitetin ekonomik dhe standardin e jetesës së qytetarëve”, ka përfunduar Mulaj për FrontOnline.
Profesori dhe eksperti i ekonomisë, Shkumbin Misini, thotë për FrontOnline se rritja e çmimit të rrymës i bën bizneset më pak konkurruese, duke i detyruar ato të rrisin çmimet e produkteve të tyre.
“Impakti i rritjes së çmimit të rrymës e rrit koston operative të bizneseve dhe i bën ato më pak konkurruese në treg përballë bizneseve të tjera, pasi detyrohen t’i rrisin çmimet e produkteve për shkak të rritjes së kostove”, ka deklaruar Misini.
Sipas Misinit , më së shumti dëmtohen bizneset prodhuese, por pasojat shtrihen edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.
“Me së shumti dëmtohen bizneset prodhuese, por edhe bizneset e tjera do të ndikohen nga kjo rritje”, deklaron Misini.
Misini shton se kostoja shtesë në fund bartet te konsumatori, duke favorizuar produktet e importuara në dëm të atyre vendore.
“Bizneset këtë faturë në fund ua faturojnë konsumatorëve, mirëpo kur rritet çmimi i produkteve vendore, konsumatori nuk shtyhet t’i konsumojë ato, por orientohen drejt produkteve të importuara, për shkak se ato janë më të lira”, tha profesori Misini.
Duke folur për ndikimin afatmesëm dhe afatgjatë, Misini thotë se kjo rritje potenciale e gërryen fuqinë blerëse dhe i shtyn bizneset të transferohen në tregje të tjera në Ballkan
“Në afat të mesëm dhe afatgjatë, kjo rritje e çmimit të energjisë e gërryen fuqinë blerëse, e ul standardin e jetesës së qytetarëve dhe i shtyn bizneset të largohen nga tregu i Kosovës për t’u transferuar në tregje të tjera të Ballkanit”, përfundoi Misini.
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, në një prononcim për FrontOnline vlerësuar se një rritje eventuale prej 21% të çmimit të energjisë elektrike do të jetë një goditje e drejtpërdrejtë për ekonominë. Sipas tij, kjo rritje rrit menjëherë kostot e prodhimit, shtrëngon likuiditetin e bizneseve dhe prek veçanërisht ato me marzhe të ulëta, duke i shtyrë drejt shtrenjtimit të produkteve ose reduktimit të aktivitetit.
‘’ Rritja eventuale prej 21% e çmimit të rrymës është një shok i drejtpërdrejtë ekonomik: ajo rrit menjëherë kostot e prodhimit, shtrëngon likuiditetin dhe godet veçanërisht bizneset me marzhe të ulëta. Për shumë prej tyre nuk është çështje fitimi, por mbijetese, duke i shtyrë drejt shtrenjtimit të pashmangshëm ose reduktimit të aktivitetit’’, tha Muhaxheri.
Sipas Muhaxherit, kostoja shtesë nuk absorbohet nga bizneset, por transferohet te konsumatori final, duke ulur fuqinë blerëse dhe duke ngadalësuar ritmin e zhvillimit ekonomik. Në afatmesëm dhe afatgjatë, kjo situatë rrezikon destabilizim social dhe humbje të konkurrueshmërisë së ekonomisë vendore.
‘’Kjo kosto nuk përthithet, por transferohet zinxhir te konsumatori final. Në afat të mesëm dhe afatgjatë, efekti është rënie e fuqisë blerëse, rritje e çmimeve dhe ngadalësim ekonomik, me rrezik real për destabilizim social dhe humbje të konkurrueshmërisë së ekonomisë vendore’’, deklaroi Muhaxheri.






