Çmimi i energjisë elektrike ka marrë hov, aq sa po synohet të rritet edhe në vitin 2026 – për herë të katërt që nga viti 2021.
Kompania për furnizim me energji elektrike KESCO i ka dorëzuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) një kërkesë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike me 21.3 për qind.
Siç është praktikë ndër këto vitet e fundit, ZRrE pritet ta analizojë këtë kërkesë dhe më pas të vendosë nëse do ta miratojë apo refuzojë atë.
Përballë një shtrejntimi tjetër potencial, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka vendosur që çështjen e problemit energjetik ta thjeshtojë te “dhomat e nxehta të qytetarëve”.
Albin Kurti, kryeministër ne detyrë, gjatë një vizite në “Innovation Centre Kosovo”, më 29 janar, ka thënë se “qytetarët duan nxehtë”, duke aluduar se “dhomat kanë temperature më të larta se normalja”.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është pasuar me rritje të çmimeve të produkteve esenciale, duke ndikuar në normën e inflacionit. Një rrjedhë e ngjashme po paralajmërohet sërish.
LDK: Kjo rritje është dobësim i ekonomisë familjare

Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i ka thënë Gazetës Express s ekjo rritje tarifash nuk është thjesht shtrejntim, por dobësim i ekonomisë familjare.
“Kjo rritje nuk është thjesht një “shtrenjtim” energjie; është një ndikim reale në dobësim të ekonomisë sonë familjare. Çdo qytetar që paguan faturë energjie po paguan më shumë për të njëjtën shërbim. Për familjet në Kosovë, kjo është një dobësim direkt i buxhetit të përditshëm: më pak para mbeten për ushqim, shëndetësi, arsim dhe shërbime të tjera themelore”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo shton se inflacioni praktikisht do të godas direkt xhepin e konsumatorit, për shkak se tregu operon në formë zinxhirore. Një shtrejntim i energjisë elektrike kaplon shumicnë dërmuese të sektorëve.
“Por efekti nuk ndalon këtu. Për shkak se energjia është input bazik për prodhim, dhe shërbime të tjera, çmimet e produkteve dhe shërbimeve që blejmë gjithashtu do të rriten. Kjo do të thotë se inflacioni praktikisht godet xhepin e çdo qytetari, dhe gjithashtu dobëson ekonominë e vendit në përgjithësi, sepse konsumatorët shpenzojnë më shumë për produktet e shërbimet e blera. Në këtë mënyrë, rritja e çmimit nuk është vetëm një vendim teknik, por një instrument që, në kushtet e një tregu të energjisë të centralizuar dhe të monopolizuar, shërben për fitimin e lojtarëve energjetikë, ndërkohë që qytetarët dhe ekonomia reale e vendit paguajnë faturën”, ka thënë ajo.
PDK: Inflacioni do të rritet

Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka thënë Gazetës Express, se rritja potenciale e çmimit të energjisë elektrike, do të ketë pasoja direkte në rritjen e normës së inflacionit.
Ai ka shtuar se një situatë e këtillë do të shtojë importin e energjisë elektrike, për ta ndërlikuar edhe më shumë problemet ekonomike përfshirë edhe ikjen e investitorëve.
“Propozimi për ngritjen e çmimit të energjisë, pra rritje për herën e katërt gjatë qeverisjes Kurti. Kjo situatë do të ketë efekte, me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e inflacionit, ndërsa goditjen më të madhe do ta pësojnë prodhuesit vendorë, etj. Kjo gjendje e paqëndrueshme e furnizimit me energji largon investitorët dhe, patjetër, do të favorizojë importin e shumë produkteve jetike”, ka thënë ai.
IKS: Energjia të trajtohet direkt si çështje e drejtësisë sociale

Brikenë Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), ka thënë për Gazetën Express se propozimi për shtrejntimin e energjisë elektrike 21% duhet të lidhet me çështjen e drejtësisë sociale, dhe jo vetëm brenda sferës energjetike – pasi kjo ndikon direkt mirëqenien familjare.
“Rritja e propozuar prej 21% e çmimit të energjisë elektrike duhet të trajtohet si një çështje e drejtpërdrejtë e drejtësisë sociale dhe stabilitetit ekonomik. Në një vend ku të ardhurat reale të familjeve nuk po e ndjekin ritmin e rritjes së çmimeve, një vendim i tillë rrezikon të thellojë pabarazitë dhe të rrisë ndjeshëm presionin mbi shtresat më të pambrojtura të shoqërisë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë mbetet rreth 10–11%, ndërsa papunësia tek të rinjtë vazhdon të jetë dukshëm më e lartë, mbi 20%. Paralelisht, vlerësimet e Bankës Botërore dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës tregojnë se rreth 30% e punësimit në Kosovë zhvillohet në ekonomi informale. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk kanë kontrata të rregullta pune si dhe mbrojtje ndaj goditjeve ekonomike, për rrjedhojë janë më të ekspozuar ndaj rritjes së kostove bazike si energjia. Energjia elektrike është një input themelor për gjithë ekonominë””
“Rritja e çmimit të saj reflektohet në mënyrë zinxhirore në koston e prodhimit, transportit dhe shërbimeve, duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet e ushqimit dhe produkteve bazë. Në një kontekst ku inflacioni ka gërryer fuqinë blerëse të familjeve dhe ku pagat mesatare mbeten të ulëta në raport me shpenzimet mujore, ky efekt zinxhir e përkeqëson më tej pasigurinë ekonomike”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka folur edhe për ndikimin që një shtrejntim i tilë do të ketë në shumicën e bizneseve të vogla dhe mikron ë Kosovë që përbëjnë mbi 90% të ndërmarrjeve.
Ka propozuar që nga perspektiva e drejtësisë sociale, çdo rritje tarifore duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me masa mbrojtëse të qarta dhe funksionale
“Bizneset e vogla dhe mikro-ndërmarrjet, të cilat përbëjnë mbi 90% të ndërmarrjeve aktive në Kosovë dhe janë burimi kryesor i punësimit, operojnë me marzhe shumë të kufizuara. Për to, rritja e çmimit të energjisë shpesh përkthehet në rritje të çmimeve për konsumatorët, ulje të prodhimit apo edhe humbje të vendeve të punës. Në një treg pune tashmë të brishtë, kjo krijon rrezik real për rritje të papunësisë dhe informalitetit. Nga perspektiva e drejtësisë sociale, çdo rritje tarifore duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me masa mbrojtëse të qarta dhe funksionale. Tarifat sociale, subvencionet e synuara për familjet me të ardhura të ulëta dhe mekanizmat mbështetës për bizneset e vogla nuk janë luks, por domosdoshmëri për të parandaluar transferimin disproporcional të barrës ekonomike tek ata që kanë më pak kapacitete për ta përballuar”
“Si aktiviste e drejtësisë sociale dhe në kuadër të punës sime me Iniciativën Kosovare për Stabilitet, vlerësoj se politikat energjetike duhet të ndërtohen mbi analiza të plota socio-ekonomike dhe konsultim real publik. Energjia nuk është vetëm çështje tregu – ajo është parakusht për punë, dinjitet dhe stabilitet social. Vendimmarrja në këtë fushë duhet të reflektojë këtë realitet”, ka thënë ajo.






