17.6 C
New York
Monday, May 5, 2025

Buy now

Paralajmërohen pasoja për bizneset nëse ZRRE s’e shtyn vendimin që ato ta gjejnë vetë rrymën

- Advertisement -

Rreth mijëra bizneseve obligohen të kalojnë në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori. Shumë prej tyre kanë aplikuar në KESCO për të vazhduar me tarifat e rregulluara. Oda Ekonomike kërkon shtyrje të afatit, duke paralajmëruar pasoja për prodhimin dhe eksportin. ZRRE nuk ka reaguar ende ndaj kërkesave të bizneseve.

Qindra biznese të vogla kanë aplikuar në KESCO për të mos kaluar në tregun e hapur energjetik. Afati është i hapur edhe për dy javë, pasi KESCO kishte marrë vendim për ta shtyrë të njëjtin.

“Nëse ata dëshirojnë të vazhdojnë furnizimin me tarifa të rregulluara në KESCO, duhet të dëshmojnë se nuk e plotësojnë asnjërin kriter për të dalur në treg të hapur, në të kundërtën nga 1 qershori. Ashtu siç ka paralajmëruar ZRRE, këta konsumatorë do të dalin në treg të hapur”, tha Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO.

Megjithatë, janë rreth 1 mijë e 300 biznese, të cilat nga qershori do të kalojnë në tregun e lirë. Të njëjtat po vazhdojnë të ankohen se kalimi në treg të lirë do t’ua rrit shpenzimet, për çka edhe kanë kërkuar shtyrjen e afatit.

“Bizneset nuk kanë pasur mundësinë të përgatiten, nuk janë pyetur se a janë të gatshëm me dal në tregun e lirë, për këtë arsye ne si Odë Ekonomike kemi kërkuar që të shtyhet edhe një vit dhe kemi kërkuar që të na jepet mundësia të dalim në tregun e lirë”, tha për RTK-në Lulzim Rafuna, kryetar i OEK-së.

Por në këtë drejtim, ZRRE ende nuk ka marrë një vendim.

RTK ka kërkuar një përgjigje për këtë nga Zyra e Rregullatorit, por nuk ka pasur deklarim. Kalimi në këtë kohë në tregun e lirë, thuhet se do t’i dëmtojë bizneset, pasi të njëjtat nuk janë të përgatitura për një vendim të tillë.

“Hapi i tillë i ndërmarrë nga ZRRE është i panevojshëm, duhet të shtyhet në mënyrë që t’i shpëtojmë bizneset sepse kështu ne rrezikojmë që edhe të ulim prodhimin edhe kapacitet e punëtorëve dhe eksporteve”, tha Kushtrim Ahmeti, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.

Në tregun e lirë energjetik do të kalojnë të gjitha ato biznese të cilat kanë më shumë se 50 punëtorë dhe mbi 10 milionë qarkullim.

Të ngjashme

Të fundit