Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti rreth mundësisë për një sulm tjetër të planifikuar nga Serbia, janë bërë tashmë lajm edhe në agjencinë e njohur“Reuters”. Aty, citohet shefi i Qeverisë i cili deklaroi se persona të armatosur janë duke u trajnuar nga agjencitë e sigurisë së Serbisë për sulme të reja, pas atij të 24 shtatorit.
Qysh në fillim, raportohet për deklaratën e Kurtit rreth kriminelit serb, Milan Radojiçiq, i cili organizoi sulmin që la të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
“Ai tani po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në vendin tonë…po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimin sekret të Serbisë, BIA” – ka thënë Kurti.
Ndërkohë, agjencia e njohur e lajmeve përmend që Serbia ka demantuar këto deklarata, duke i cituar disa fjalë të drejtorit të të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.
“Është një gënjeshter absolute që Beogradi po përgatit një sulm” – u shpreh ai.
Çka tjetër tha Kurti?
Në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i pari i Qeverisë deklaroi që grupi kishte planifikuar një sulm të ri në Kosovë gjatë muajit nëntor.
Sipas tij, sulmi është shtyer për shkak të zgjedhjeve në Serbi.
“Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm ndaj komunës së Zubin Potokut, me qellim marrjen e viles së Radoiçiqit që ndodhet në brigjet liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi.” – tha ai.
Ai ka thënë se këto sulme janë shtyrë edhe për shkak të patrullimeve të policisë me KFOR-in në kufij.
“Plani paraprak për sulmet hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovës, kemi marr vesh se e ka ndryshuar intensifikimi i patrullimit të përbashkët mes Policisë de Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave tjera te ndërmarra nga ne.” – është shprehur Kurti.
Nder të tjera, Kurti ka treguar edhe për takimet që krimineli serb ka me shërbim sekret serb.
“Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të organizatës terroriste “Mbrojta Civile”. Radojiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb “BIA” – tha ai.
Ndërsa në fjalën e tij, Sveçla sqaroi hap pas hapi se si kishte ndodhur sulmi më 24 shtator në Banjskë. Përveç informacioneve të detajuara, Sveçla publikoi edhe fotografi të pjesëmarrësve të dyshuar në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe u eliminuan tre pjesëtarë të grupit të Radojiçiqit.
Madje, Sveçla publikoi edhe një fotografi të Radojiçiqit, ku ai shihet i armatosur në Mitrovicë të Veriut gjatë dhjetorit të vitit 2022.Sveçla dha edhe një informacion po ashtu shqetësues. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2021 deri më sot, në veri ka pasur 114 sulme ndaj zyrtarëve dhe institucioneve kosovare.
“Si institucione kemi ofruar fakte të mjaftueshme që konfirmojnë planet e Serbisë për të organizuar këtë sulm paramilitar terrorist dhe kemi ndarë informacione edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës nga viti 2021 deri më sot institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veriun e vendit tonë.” – deklaroi Sveçla.