Një muaj paraburgim është caktuar ndaj Astrit Isufit, i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Naim dhe Driton Morina, në fshatin Gollubovc të Malishevës, më 6 nëntor.
Lajmin për Klankosova.tv e ka bërë të ditur Lekë Muqaj, zëdhënës në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Sipas Lekajt, i njëjti dyshohet për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”, njofton Klankosova.tv.
Isufi i bie që të jetë në paraburgim nga data 07.11 deri më 06.12.2025.
Seanca dëgjimore ndaj Astrit Isufit është mbajtur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi i njëjti po merrte trajtim mjekësor në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale.
Isufi u arrestua më 7 nëntor, një ditë pas dyshimit se kishte kryer vrasjen e dyfishtë. Ai ishte në arrati që nga paraditja e 6 nëntorit dhe u arrestua në fshatin Plloçicë të Malishevës, pasi ishte fshehur në shtëpi të pabanuara.
Në momentin e arrestimit, ai ishte i plagosur nga arma e zjarrit në pjesën e poshtme të barkut. Fillimisht, Isufi mori trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, dhe më pas u transferua në QKUK për të vazhduar mjekimin.






