Në shënimin e 25 vjetorit të kësaj epopeje mori pjesë edhe kryeministrit Albin Kurti.
Por, vitin që shkoi ndonëse ishte në Prishtinë, Kurti jo vetëm që nuk mori pjesë në shënimin e kësaj dite historike, por nuk e tha as edhe një fjalë. Madje as në rrjetet sociale, shkruan Demokracia.
Duket se Kurti kalkulon politikisht edhe me betejat e rëndësishme e me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Veç pasi mori mbështetje nga Ramush Haradinaj në dialog dhe planin franko-gjerman, Kurti sot mori udhën për në Gllogjan.
Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, Kurti shkoi edhe te familja Haradinaj. Aty edhe e cakërroi gotat me kryefamiljarin, Ramush Haradinaj.
Kurti mori fjalën edhe në manifestimin qendror që po mbahej për të shënuar këtë ngjarje.
Duke përshëndetur të pranishmit, Kurti iu drejtua edhe kreut të AAK-së, i cili u duartrokit për këtë.
Kurti tha se familja Haradinaj, pas ngjarjeve në Prekaz, i tregoi Serbisë rezistencën.
“Pas rezistencës së pashembullt të Jasharëve në Prekaz me datat 5,6,7 mars vjen qëndresa e fuqishme e familjes Haradinaj dhe Mehmetaj në Gllogjan më 24 mars. Të dyja këto e kishin një armik, Serbinë, e kishin një qëllim, lirinë”.
Kurti tha se vendosmëria e guximi i Haradinajve dhe Mehmetajve i dërgoi mesazh Serbisë se Kosova nuk dorëzohet.
“Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk nënshtrohet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste mori atë ditë nga kulla e bacës Hilmi. Të vendosur në katër pozicione, Hilmi Haradinaj, së bashku me Mejremen e Frashërin, Ramush Haradinaj së bashku me Bujarin, Dauti me Rasimin e Kujtimin dhe Shkëlzeni me Enverin mbajtën në këmbë kullën, mbajtën në këmbë popullin”, u shpreh Kryeministri.
Më 24 mars të vitit 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes forcave të UÇK-së dhe forcave të Serbisë, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.
Synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.