Ndeshja futbollistike Shqipëri-Serbi, e cila është planifikuar të zhvillohet me 7 qershor në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, ka ndryshuar në tërësi rrjedhën e një ndeshjeje normale, vlerësoi Drejtori për Futboll në Artmotion, Arlind Sadiku.
Për emisionin Kosova Today në Klan Kosova, ai tregoi se do të ketë shumë forca të sigurisë, njësi policore nga Shqipëria, dhe se ka informacione që janë ftuar edhe nga Kosova si përforcim në këtë ndeshje.
“Ka dhe zëra që nuk do të lëshohen këngët e zakonshme shqiptare para ndeshjes me Serbinë, por do të jenë disa këngë tjera. Qasja e Federatës Shqiptare është e tillë që nuk duan të nxisin publikun me këngë patriotike ose me këngë që kanë simbole shqiptare”, tha ai.
Sadiku më tej shtoi se asnjë grupacion i tifozëve nuk ka bileta të garantuara, përpos tifozëve shqiptarë që janë zyrtarisht të anëtarësuar në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Gazetari Arlind Sadiku do të jetë në stadium për të sjellë të gjitha emocionet drejtpërdrejt për shikuesit e Klan Kosovës përmes kanalit Sport1 në Artmotion, me mbulim special.