Autori i “Made in Kosova”, Astrit Panxha e ka ‘akuzuar’ zëvendësministren e Punëve të Jashme dhe Diasporës, Liza Gashin për tendencën e përvetësimit të konceptit ‘Made in Kosova’.
Panxha përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shpjeguar rrjedhimisht gjashtë arsyet kryesore të themelimit të “Made in Kosova” dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe ndër vite nga institucionet gjegjëse të vendit.
Sipas Panxhës, zëvendësministrja, Liza Gashi ka planifikuar një event prezantues për llogo, platform dhe vizioni i ngjajshëm me “Made in Kosova” me datë 14 maj.
“Me 14 maj te viti 2024, Liza ti po planifikon të organizosh një event ku do të prezantosh logon e re ‘Made in Kosova’, platformën dhe vizionin për Made in Kosova. Në ftesë e ke shkruar: Përmes qasjes gjithëpërfshirëse të komunikimit, MiK-u ka për qëllim të promovojë rininë, kreativitetin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë në të gjitha fushat, me synimin që ta shndërrojmë atë në një dritare multifunksionale të informacionit dhe të ndërlidhjes”, ka shkruar Panxha.
Madje, Panxha ka thënë se zëvendësministrja, Liza Gashi ka ‘çuditur’ edhe ‘Lizën e botës së çudirave me veprimin e përvetësimit të markës ‘Made In Kosova’
Tutje, Panxha ka treguar edhe për mbështetjen e institucioneve ndër vite, dhe ka’ akuzuar’ Gashin për mosmbështetjen e saj karshi institucionit që e drejton.
“Një fakt është i pakontestueshëm: Qeveritë janë ndryshuar, vitet kane kaluar por përkrahja për ‘Made in Kosova’ asnjëherë nuk ka munguar. Të gjithë e kanë përkrahur pa marr parasysh cilës parti i kanë takuar, përveç teje Liza!”, ka shkruar Panxha.
Ai ka deklaruar se do ti ndjekë të gjitha rrugët ligjore karshi ‘shkatërrimit’ të konceptit të ‘Made in Kosova’ për shkelje të markës tregtare.
“Ti ke vendos me bë një ‘Made in Kosova’ të re, më e mira se e tashmja por me koncept të njëjtë, me fjalë të tjera me koncept të vjetër. Kjo qasje po me kujton një ngjarje që ka ndodhur gjatë luftës në regjion: në atë kohë bombardohej për tu shkatërruar një qytet i vjetër i antik, ndërkohë gjenerali që e sulmonte deklaroj ‘Mos u merakosni se do ta ndërtojmë një qytet të ri, më të bukur edhe më të vjetër se ky ekzistuesi’. Kjo është një qasje tipike kur tentohet të rishkruhet historia me manipulime dhe përvetësime! Liza ti po tenton me shkatërrua një koncept ‘Made in Kosova’ që është ndërtuar ndër vite dhe po mundohesh të ndërtosh sipas teje një më të mirë me dhe më të vjetër se ky ekzistuesi! Kjo është një qasje tipike e një individi që në plan të parë e ka promovimin vetanak nën ombrellën e një institucioni publik. Por kjo ombrelle nuk do të mbron nga padia për shkelje të Drejtave Autoriale që është e dënueshme me Kodin Penal! Nuk do të mbron nga padia për shkelje të markës tregtare!”, ka shtuar ai.