Televizioni T7 ka publikuar një video ekskluzive që tregon momentet e fundit të Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën në Lipjan. Pamjet, të cilat kanë shkaktuar reagime të fuqishme nga opinioni publik, zbulojnë mënyrën brutale të arrestimit të tij, ku pjesëtarë të Policisë së Kosovës i vendosën gjunjët në qafë.
Në video shihen qartë pamje të Agonit, i shtrirë dhe i bllokuar nga disa oficerë të policisë:
Çka ndodhi mëngjesin e së hënes?
Vdekja tragjike e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në orët e para të së dielës në Lipjan ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime serioze për sjelljen dhe veprimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në lidhje me rastin, ku dje u arrestuan 5 zyrtarë policorë, Policia ka dalur me një sqarim rreth kronologjisë së rastit.
Sipas policisë, pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zyrtarët u përballën me një situatë të tensionuar dhe, për shkak të rezistencës së viktimës dhe vërsuljes ndaj tyre, u detyruan të përdorin sprej-in policor në vetëmbrojtje.
“Sjelljet e njëjta sipas raportimit të qytetarëve janë shfaqur edhe në prani të zyrtarëve policorë, të cilët me qëllim të vënies së situatës nën kontrollë dhe shoqërimit të tij në stacion policor, për shkak të sjelljeve të pakontrollueshme e të rrezikshme, rezistencës aktive dhe vërsuljes për sulm ndaj zyrtarëve policorë, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprej-in policor.” – thuhet në reagimin e policisë.
Policia pretendon më tej se paraprakisht zyrtarët e përfshirë në këtë rast kanë tentuar të negociojnë “për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor”, ndërsa, sipas komunikatë, njëkohësisht është kërkuar ndihma e shpejtë mjekësore.
“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë.
Pas publikimit të këtyre pamjeve, organet hetuese ndërmorën veprime. Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur se pas inervistimit, të pesë zyrtarët policorë “janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.”
“Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë).
Pas intervstimit të tyre dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar sot pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në kuadër të hetimit pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.”