Home Lajme Pallaska: Tejet i shqetësuar për shkeljet ligjore për arrestimin e Besnik Berishës

Pallaska: Tejet i shqetësuar për shkeljet ligjore për arrestimin e Besnik Berishës

0
Pallaska: Tejet i shqetësuar për shkeljet ligjore për arrestimin e Besnik Berishës
Avokati Dastid Pallaska, ka reaguar pas lirimit nga paraburgimit të avokatit Besnik Berisha, duke thënë se nuk ka komentuar më për parë për shkak se nuk ka pasur informata.

Por tani që e ka parë vendimin e gjykatës, Pallaska është shprehur i shqetësuar për shkeljet ligjore e kushtetuese që janë bërë për arrestimin e Berishës.

Ai ka thënë Besnik Berisha është privuar nga lira pa vendim të gjykatës.

Tutje, ai ka numëruar disa nga shkeljet që janë bërë me rastin e avokatit Berisha.

Postimi i plotë:

Në mungesë të informatave, qe tre ditë jam përmbajtur nga komentimi i rastit të ndalimit të kolegut Besnik Berisha.
Për të njëjtën arsye, jam munduar t’i rezistoj edhe përshtypjeve të para në lidhje me motivet e mundshme të kësaj ngjarje që janë komentuar gjerë në publik.

Tash që u publikua vendimi i gjykatës, jam tejet i shqetësuar për shkeljet ligjore/kushtetuese që duket se e kanë shoqëruar arrestimin e tij.

Së pari, duket se Besniku është privuar nga liria pa vendim të gjykatës.
Ky veprim është shkelje e Nenit 33(1) të Ligjit për Avokatinë, i cili shprehimisht përcakton se avokati nuk mund të privohet nga liria për vepra lidhur me ushtrimin e profesionit PA VENDIM GJYKATE.

Kjo dispozitë ligjore është tejet e rëndësishme pasi që mbron avokatët nga arbitrariteti i kundërligjshëm në rastet kur synohet të personalizohet puna e tyre profesionale në mbrojtje të të drejtave dhe interesave ligjore të klientëve të tyre.

Duke njohur mundësinë e keqpërdorimit të vendimit për arrestim/ndalim për 48 orë, Ligji per Avokatinë kërkon vendim të gjykatës për privimin nga liria të avokatit në këto raste. Pa këtë mbrojtje ligjore nga arbitrariteti, është e pamundur të ushtrohet në mënyrë të mirëfilltë profesioni i avokatit.

Së dyti, është tejet brengosëse që vendimi me të cilin Besnikut i është ndaluar afrimi tek vendi apo personi i caktuar është “arsyetuar” me – ndër tjerash – angazhimin e tij në raste të tjera si avokat dhe faktin se duke qenë avokat ai mund të përsërisë veprat penale të ngarkuara apo të ngjashme.

Kriminalizimi apriori i punës së avokatit – dhe atë pa arsyetim të hollësishëm e bindës – mund të jetë prelud vetëm për ndalimin e avokatisë si profesion i lirë.

Treguesi më i mirë për rolin e avokatëve në shoqëri të lira dhe demokratike është fakti se profesioni i avokatisë nuk ekziston vetëm në sisteme totalitare/diktatoriale. Kushdo që është i/e interesuar se si duket shoqëria pa avokatë mund të pyes të mbijetuarit e regjimit të Enver Hoxhës ku profesioni i avokatisë ishte i ndaluar.
E tërë kjo nuk do të thotë se avokatët janë mbi ligjin.

Si çdo qytetar tjetër i vendit, edhe avokatët duhet të përgjigjen kurdo që e shkelin ligjin. Por kjo duhet të bëhet në pajtim me ligjin. E ky ligj – ndër tjerash – parasheh një procedurë të veçantë në rastet e privimit nga liria e avokatëve për shkak se puna e tyre e përditëshme për dhe në emër të ligjit i ekspozon ata/o ndaj disa rreziqeve personale që nuk janë të pranishme në rastet tjera.
Në fund, por jo për nga rëndësia, shpresoj se kjo çështje do të ketë trajtim të duhur profesional në instancat e larta gjyqësore ku duhet të adresohen shkeljet e mësipërme ligjore pavarësisht refuzimit të kërkesës për paraburgim.

Exit mobile version