7.9 C
New York
Sunday, December 29, 2024

Buy now

Paketa e ndihmës për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin të martën në Senat

- Advertisement -

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të shtunën me mbështetje të gjerë dypartiake ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, mes kundërshtimeve të republikanëve të vijës së ashpër.

Paketa parashikon 61 miliardë dollarë për forcat ukrainase që po luftojnë kundër agresionit rus, 26 miliardë për Izraelin dhe ndihmën humanitare për civilët në zonat e konfliktit, përfshirë Gazën, si dhe 8 miliardë dollarë për rajonin e Indo-Paqësorit.

“Tre nga kundërshtarët tanë kryesorë, Rusia, Irani dhe Kina po punojnë së bashku dhe ata janë agresorë për mbarë globin. Ata janë një kërcënim global për begatinë dhe sigurinë tonë. Përparimi i tyre kërcënon botën e lirë dhe kërkon reagim. Nëse ne kthejmë shpinën tani, pasojat mund të jenë shkatërrimtare”, tha Mike Johnson, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Kryetari Johnson, duke vënë në rrezik postin e tij, u mbështet tek votat e demokratëve këtë javë për të futur në rendin e ditës votimet për tre projektligjet për ndihmat, si edhe një të katërt me disa propozime të tjera për politikën e jashtme.

Projektligji që vendos kufizime të reja në platformën e mediave sociale “TikTok” ishte i pari që kaloi të shtunën, me një votim 360 pro me 58 kundër. Ky projektligj gjithashtu do t’i mundësonte presidentit të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë dhe Iranit.

Projektligji i dytë, i cili kaloi me një shumicë dypartiake prej 385 pro dhe 34 vota kundër, siguron 8 miliardë dollarë ndihmë për rajonin Indo-Paqësorit. Po kështu u miratua dhe një paketë e rëndësishme ndihme, prej 61 miliardë dollarë për Ukrainën për ta ndihmuar në luftë kundër Rusisë. Projektligji kaloi me 311 vota pro dhe 112 kundër.

Ligjvënësja republikane Marjorie Taylor Greene paralajmëroi se do të nisë procedurat për të zëvendësuar zotin Johnson, ndërsa ligjvënësi tjetër republikan Thomas Massie bëri thirrje për dorëheqjen e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Pritet që Senati me shumicë demokrate të shqyrtojë projektligjet të martën dhe më pas t’i dërgojë ato tek Presidenti Biden për t’u nënshkruar në ligj.

“Miqtë tanë në Ukrainë, aleatët tanë në NATO, Izraeli dhe civilët në mbarë botën që kanë nevojë për ndihmë të jenë të sigurt se Amerika do të japë përsëri ndihma”, tha nëpërmjet një deklarate udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer i cili konfirmoi se votimi do të zhvillohet të martën pasdite.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi Kongresin për miratimin e projektligjit të ndihmës.

“I jam mirënjohës Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të dyja palëve dhe personalisht kryetarit Mike Johnson për vendimin duke bërë që historia të jetë në rrugën e duhur”, shkroi Zelenskyy në një postim në rrjetin social X, dikur Twitter.

Ukrainasit në kryeqytetin e vendit, në Kiev, mirëpritën të dielën ndihmat amerikane.

“Kjo ndihmë vjen me vonesë. Tani me vullnetin e Zotit, Senati do të miratojë ligjin, në mënyrë që Ukraina të rimarrë armatime dhe forcat e saj dhe të luftojë kundër Rusisë”, thotë një banor.

Zëdhënësi i Kremlinit e quajti miratimin e ndihmës për Ukrainën një vendim të pritshëm e të parashikueshëm”, por që do të shkaktonte sipas Moskës, më shumë viktima mes ukrainasve. /VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit