29.7 C
New York
Tuesday, August 26, 2025

Buy now

Pak para fushatës, asamblisti i VV-së i arrestuar për kanabis, rrezikon 1 muaj paraburgim

- Advertisement -

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Novobërdë, Rinas Zeqiri, i cili ka vendosur t’i hyjë garës për kuvend komunal për zgjedhjet e 12 tetorit, është futur në telashe me ligjin pak para fushatës. Ai përfundoi në pranga të Policisë, pas zbulimit të një plantacioni me qindra bimë kanabisi të kultivuara nga grupi i dyshuar, raporton Klankosova.tv

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit ndaj tij, ndërsa tashmë është ushtruar edhe kërkesa për masën e sigurisë.

Kjo është konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për Klankosova.tv, me ç’rast kanë bërë me dije se ndaj Zeqirit dhe dy të tjerëve është kërkuar paraburgimi për 1 muaj.

Kërkesa është dorëzuar tashmë në gjykatë dhe së shpejti pritet të mbahet seanca dëgjimore, ku gjyqtari i procedurës paraprake do të vendosë ndaj tyre.

Tre të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton Klankosova.tv

“Referuar kërkesës tuaj të parashtruar më 25 gusht 2025, lidhur me aksionin antidrogë në fshatin Zhegoc të Gjilanit, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tre persona me inicialet A.S., R.A. dhe R.Z., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ nga neni 272 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 i të njëjtit Kod. Ndaj të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Klankosova.tv.

Nga Policia e Kosovës, njoftuan dje se kanë arritur ta lokalizojnë plantacionin me rreth 500 bimë të llojit kanabis sativa në një fshat të rajonit të Gjilanit.

“Këto bimë ishin të mbjella në katër sera dhe ishin në një fazë të mirë zhvillimi. Lidhur me rastin është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë dhe dëshi tjera, janë arrestuar tre persona të dyshuar.”. 

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata

Të ngjashme

Të fundit