26.9 C
New York
Friday, July 4, 2025

Buy now

Pagesat e avokatëve në Hagë: Ministria e Drejtësisë e kishte ndryshuar Udhëzimin dhe e kishte fshirë një nen të rëndësishëm

- Advertisement -

Çështja e pagesave të avokatëve të krerëve të UÇK-së në Hagë, vazhdon të diskutohet në baza ditore, kryesisht ndërmjet zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Disa deklaratave të Memli Krasniqit se Albulena Haxhiu dhe Ministria e Drejtësisë i ka ulur pagesat, u përgjigj dje zv/ministri në detyrë, Blerim Sallahu, duke publikuar shpenzimet.

Megjithatë, Sallahu dhe Vetëvendosje mbase kanë harruar se me të ardhur në pushtet e kanë ndërruar Udhëzimin për Përkrahjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Nacionale kishte raportuar për këtë temë qysh vite më parë, ku kishte evidentuar dy ‘hile’ speciale nga pushteti i Albin Kurtit.

Me udhëzimin që ka qenë në fuqi para ndryshimeve nga MD-ja e Albulena Haxhiut, njëjtë sikur edhe pas ndryshimeve, avokatët paguhen varësisht nga kompleksiteti i rastit. Nëse merret shembull rasti i krerëve të UÇK-së, atëherë është niveli 4 i kompleksitetit dhe pagesat në fazën e gjykimit janë 110 mijë euro në muaj.

Në ndryshimin që është bërë nga Haxhiu dhe MD te shuma e pagesës është shtuar fjala ‘deri në’. Pra, nuk është 110 mijë euro sa ka qenë, por ‘deri në 110 mijë euro’.

Megjithatë, një ndryshim ka qenë edhe më i madh dhe më i rëndësishëm, që ka ndikuar direkt edhe në çështjen e pagesave.

Me udhëzimin që kishte qenë në fuqi para ardhjes në pushtet të VV-së, pra pa ndryshime, ekzistonte një nen që ua mundëson ekipeve mbrojtëse të kërkojnë kompensime më të larta në raste specifike.

“Në raste të veçanta, kur për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit, shqyrtimin e saj. Propozimi përmban arsyetimin me shkrim. 3. Komisioni shqyrton rrethanat që kanë çuar në tejkalim të tarifave të përcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ dhe varësisht nga arsyetimi, e aprovon apo refuzon të njëjtën”, thuhet në nenin 11 të Udhëzimit që është aktualisht në fuqi.

Megjithatë, me ndryshimet që ka bërë Ministria e Drejtësisë, ky nen është fshirë. Pra, ekipeve nuk iu lejohet që të kërkojnë shuma më të larta se ato që janë të parashikuara deri në 110 mijë euro në fazën e gjykimit.

Duke marrë parasysh edhe rastet e shumta që ndërlidhen me pengimin e procedurës së Gjykatë Speciale, MD-ja ka bërë një tjetër ndryshim. Ka shtuar disa detaje, duke specifikuar pagesat për personat që akuzohen për tentim-ndërhyrje në procese

Me udhëzimin e ri, ekipet mbrojtëse të personave që akuzohen për ndërhyrje, paguhen deri në 5 mijë euro në muaj.

Sipas postimit të zv/ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, në mandatin e VV-së, janë paguar 32 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.

Megjithatë, ndoshta Sallahu ka harruar se disa prej neneve të Udhëzimit të kaluar, janë fshirë.

Të ngjashme

Të fundit