Kontabilistja Ermira Bytyçi, në një prononcim dhënë për GazetaBlic ka folur në lidhje me çështjen e njoftimin e Administratës Tatimore të Kosovës, e cila ka dalë ditën e premte me njoftim në lidhje me personat që punonjësit e pavaruar apo siç quhen “freelancer”.
“E kam parë postimin njoftues dhe thirrjen nga Administrata Tatimore për të deklaruar dhe paguar tatimet, të gjithë personat që realizojnë të hyra nga shërbimet freelancers (zakonisht ato janë shërbime të specializuara të natyrave të ndryshme). Këto do të tatohen sikur të gjitha të hyrat tjera nga shërbimet që tatimohen sipas ligjeve aktuale në fuqi, nuk pash ndonjë ndryshim”, tha ajo.
Kontabilistja tregon dy mënyrat për deklarimin dhe pagesën e tatimit.
“ATK ka bërë kërkesë për deklarim edhe pagesë të tatimit për të gjithë ata persona që realizojnë të hyra të pavaruara nga këto shërbime dhe nuk paguajnë tatime. Të hyrat për këto shërbime mund të realizohen në dy mënyra: Përmes pagesës mujore – nëse je si i punësuar dhe ofron shërbime te tilla, në këtë rast punëdhënësi sikur gjitha pagat tjera deklaron dhe paguan trustin pensional dhe tatimin në pagë sipas ligjeve në fuqi me shkallet progresive tatimore. Nëse të hyrat i realizon i pavarur, atëherë në këtë rast duhet aplikuar për tu regjistruar si biznes në ARBK, dhe të tërhiqet Numri Unik/Fiskal dhe përmes tij të deklarohen të hyrat cdo tremujorë. Norma aktuale tatimore për bizneset shërbyese është 9%, deri në rastet kur nuk kalon qarkullimin mbi 30k vjetorë kur pastaj futet edhe në TVSH”, potencon ajo.
Tutje, sipas saj kjo metodë nuk mund të jetë e mirëpritur nga “Freelancers”.
“Tek ofruesit e shërbimit normalisht që ka ulje të shumës së fitimeve për të cilën ata e pagujnë si tatim. Prandaj edhe munden që shërbyesit e tillë mos ta mirëpresin, por varet sepse shumë njerëz që i njoh të cilët realizojnë të hyra të tilla, nuk e kanë problem, duan të jenë korrekt me shtetin dhe kanë gatishmëri t’i paguajnë. Kuptohet tatimet që askush nuk ka dëshirë t’i paguajë, por duhet paguar dhe Kosova i ka normat tatimore të ulëta, mund të them më të ultat në rajon apo më gjerë”, thekson Bytyçi.
Sipas Bytyçit mënyra më e lehtë e deklarimit dhe pagesës së tatimit është kontrolla e llogarive bankare të personave që i pranojnë ato mjete dhe nuk i deklarojnë.
“Kuptohet si në çdo veprimtari tjetër ekonomike edhe në këtë fushë do të ketë të atillë që duan t’i ikin deklarimit dhe pagesës së tatimit. Që do të thotë e vetmja mënyrë e zbatimit dhe inspektimit nga Administrata Tatimore për realizuesit e këtyre të hyrave është përmes kontrollimit të llogarive bankare të personave që pranojnë mjete dhe nuk i deklarojnë vullnetarisht për tatime”, vazhdon ajo.
Krejt në fund kontabilistja jep një këshillë për deklarimin e të hyrave dhe pagesës së tatimeve.
“Këshilla ime çdoherë është që të jemi deklarues vullnetar i të hyrave edhe pagesës së tatimeve ashtu siç na obligojnë ligjet, sepse nëse pastaj ATK na inspekton dhe zbulon të hyrat e realizuara e të padeklaruara, atëherë shtohen ndëshkimet dhe interesat e vonesave të deklarimit dhe pagesës, d.m.th paguajmë më shumë pastaj”, përfundoi Ermira Bytyçi.