0.1 C
New York
Tuesday, December 16, 2025

Buy now

Pagat u rritën, por fitimi real u ngadalësua pas vitit 2019

- Advertisement -

Në narrativën zyrtare të pushtetit, Kosova përshkruhet sikur ka hyrë në një cikël të artë prosperiteti. Megjithatë, testi i vërtetë i mirqënies nuk ka të bëjë se sa janë rritur pagat në euro, por çfarë blejnë ato euro. Kur rritja e pagave indeksohet me inflacionin, realiteti ndryshon drastikisht: midis viteve 2019–2024, fuqia blerëse e qytetarëve del e dobësuar krahasuar me vitet para pandemisë. Me fjalë të tjera, edhe kur pagat u rritën nominalisht – madje edhe kur rritja dukej “më e lartë” – rritja e çmimeve e hëngri një pjesë të madhe të asaj përparësie.

Për katër vite me radhë, diskursi publik mbi pagat, buxhetin dhe investimet është ushqyer nga ajo që njihet si “shifër nominale”. Statistikisht, periudha 2019–2024 tregon një rritje të pagave mesatare prej 34 për qind bruto (28 për qind neto), ndërsa në sektorin privat shifrat duken edhe më premtuese: 45 për qind bruto dhe 38 për qind neto.

Megjithatë, madhësia e numrave nuk përkthehet domosdoshmërisht në mirëqenie. Kur e njëjta pasqyrë analizohet në “terma realë” – duke eliminuar efektin e inflacionit – fuqia blerëse përmbyset në mënyrë drastike.

Sipas analizës së ekonomistit Edison Jakurti, periudha 2019–2024 ka sjellë një rritje reale anemike prej vetëm +9 për qind në bruto dhe +4 për qind në neto. Për krahasim, periudha para pandemisë (2014–2019) ishte dukshëm më produktive për xhepin e qytetarëve, me një rritje reale prej +13 për qind bruto dhe +12 për qind neto.

Situata rëndohet edhe më tej në sektorin publik: pas vitit 2019, rritja reale është tkurrur në vetëm +5 për qind bruto dhe +4 për qind neto, një rënie e thellë krahasuar me rritjen dyshifrore (+18 për qind bruto, +17 për qind neto) të periudhës paraprake.

“Në bazë të të dhënave nga ASK, pagat në Kosovë kanë shënuar rritje nominale si para ashtu edhe pas COVID-19. Në 5 vitet para COVID-it (2014–2019), rritja kumulative nominale e pagës mesatare (bruto) ishte 18% në nivel vendi, 23% në sektorin publik dhe rreth 25% në sektorin privat. Në 5 vitet pas COVID-it (2019–2024), rritja nominale u përshpejtua ndjeshëm, duke arritur rreth 29% në sektorin publik dhe në 45% në sektorin privat, gjë që krijon përshtypjen e një rritjeje shumë më të fortë të pagave gjatë këtyre pesë viteve të fundit.

Ky raport ndryshon dukshëm kur pagat shihen në terma realë, të shprehura në euro të vitit 2024 për të qenë të krahasueshme ndër vite. Në sektorin privat, rritja reale para dhe pas pandemisë është relativisht e ngjashme (18-19%), ndërsa dallimi më i madh vërehet në sektorin publik: në periudhën 2014-2019, pagat reale u rritën për 18%, ndërsa në periudhën 2019-2024 rritja reale ishte vetëm 5%. Kjo tregon se inflacioni ka gërryer një pjesë të madhe të rritjes nominale të pagave.” – shkroi Jakurti ndër të tjera, në Facebook.

Për të kuptuar këtë shpërputhje, duhet adresuar “elefanti në dhomë”, i pëjashtuar nga numrat e zyrtarëve të pushtetit: inflacioni i paprecedentë dhe kriza e kostos së jetesës.

Gjatë viteve 2021–2024, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni kumulativ arriti rreth 22 për qind, ndërsa çmimet e produkteve bazë u rritën me mbi 50 për qind. Këto përqindje të rritjes së çmimeve, na argumenton se fuqia blerëse ka mbetur shumë prapa çmimeve, duke e bërë qytetarin efektivisht më të varfër.

Një realitet i tillë u konfirmua edhe nga një raport i UNDP-së në shkurt të vitit 2024, ku 44 për qind e familjeve raportuan paradoksin e mbijetesës: shpenzojnë më shumë, por blejnë më pak.

Përballë kësaj krize, pretendimet e ish-kryeministrit Kurti për “pakon më të madhe mbështetëse në rajon” rezultuan të kenë efekt minimal. Banka Botërore, në vlerësimin e vitit 2022, i cilësoi skemat sociale të Kosovës si “të ngurta” dhe joefektive, duke theksuar se pavarësisht shpenzimeve të larta, mbrojtja e ofruar ishte e kufizuar.

Raporti nënvizonte se inflacioni i lartë frenoi rimëkëmbjen e madhe pas-pandemike të vitit 2021 — vit kur Lëvizja Vetëvendosje nisi qeverisjen me një rritje prej 16.32 për qind të BPV-së në tremujorin e dytë.

Përpjekja kryesore legjislative e qeverisë për të zbutur krizën — ligji për “Masat e Përkohshme për Produktet Bazë” — dështoi jo vetëm ekonomikisht, por edhe ligjërisht, duke u shpallur jokushtetues.

Vendimi Gjykatës Kushtetuese nxori në pah një tendencë e cilësuar si “shqetësuese” të qeverisë për ndërhyrje arbitrare në ekonominë e tregut të lirë, pa mekanizma të qartë rregullatorë.

Të ngjashme

Të fundit