14.8 C
New York
Thursday, October 30, 2025

Buy now

Paga minimale prej 500 euro që u “premtua” sot, dikur Muratit i dukej “tallje me qytetarët” 

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, të enjten priti në takim përfaqësues të sindikatave të punonjësve nga sektori privat si dhe përfaqësues të odave ekonomike.

Sipas kreut të Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në takimin e sotëm të gjithë aktorët e pranishëm u pajtuan që paga minimale të jetë 500 euro, dhe implementimi i saj të fillojë në janar, transmeton Klankosova.tv.

“Në takimin e sotëm është diskutuar për pagën minimale. Normal që ne si udhëheqësi të Sindikatës së Punëtorëve duam që paga minimale të jetë 600 euro. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë, qeverisë në detyrë që vlerësimi i tyre është që të jetë 500 euro. E kam pyetur decidivisht se nëse gjithçka shkon mirë, kur mendoni të fillojë së implementuari? Sipas deklarimit të ministrit në detyrë, është që se paga prej 500 eurove do të fillojë së implementuari në janar. Por megjithatë nuk ka hedhur poshtë edhe propozimin tonë, ku është thënë se do të bisedojë me aktorët kryesorë. Megjithatë, me gjitha aktorët që ishim, jemi pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro, dhe të fillojë implementimi në janar”, citohet të ketë thënë Azemi.

Mirëpo, në vitin 2023, pagën minimale prej 500 eurove, Hekuran Murati e quante “tallje me qytetarë”.

“Këtu sapo u bë një tallje me qytetarë. Qytetarët duhet të dinë, sepse ky lajm tashmë publikohet, por qytetarët duhet ta dinë që kjo nuk do të bëhet, paga minimale. Pra, edhe këta që votuan për e dinë që kjo s’do të bëhet, sepse kemi të bëjmë me një nivel që është mbi nivelin mesatar. Kjo s’ka ndodhur askund në botë. Qytetarët duhet ta dinë që propozimet e tilla janë tallëse me qytetarët, krijojnë shpresa të rreme, janë tallëse për qytetarët”, pati deklaruar Murati në momentin që amendament pati marrë mbështetjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

E pas takimit të sotëm, ministri në detyrë i Financave ka reaguar në Facebook.

Ai tha se paga minimale është instrument tejet i rëndësishëm, por nuk përmendi të jetë dakorduar sikurse tha Azemi.

“Sot bashkë me përfaqësues të sindikatave të punonjësve nga sektori privat si dhe me përfaqësues të odave ekonomike mbajtëm një takim konsultues në kuadër të dialogut social për rritjen e pagës minimale. Nga ky takim, dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e poashtu dëgjova edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar”.

“Paga minimale është instrument tejet i rëndësishëm që përcakton minimumin e pagesës së një ore pune, dhe ka për synim mbrojtjen e punëtorëve nga praktikat jo të mira. Njëkohësisht, rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve.  Si qeveri, pagën minimale e rritëm për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi, dhe premtuam që paga minimale do të rishikohej çdo vit”, deklaroi Murati.

Ai u shpreh se nga ky takim ka dalë më i informuar, dhe shtoi se do t’i ketë parasysh të gjitha sugjerimet e rekomandimet “kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në Qeveri.

Të ngjashme

Të fundit