Shkruan: Blerim Canaj
Sot, Gjykata Speciale në Hagë refuzoi një tjetër mocion për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ky vendim nuk është vetëm një hap tjetër i një procesi të zgjatur dhe të njëanshëm por është vazhdim i një padrejtësie që ka emër: stigmatizimi i luftës për liri.
A është rastësi që Hashim Thaçi u dënua dikur nga gjykatat e Sllobodan Millosheviqit, dhe sot gjykohet përsëri, jo nga Serbia, por nga një gjykatë ndërkombëtare e ndërtuar me besimin që do sjell drejtësi por që u shndërrua në një gjykatë me logjikën e asaj kohe?
Kjo Gjykatë u ngrit për të faktuar një gënjeshtër të madhe, një fabrikim që quhej “shtëpia e verdhë” dhe „trafikimi i organeve”. Ishte kjo akuza tronditëse që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe që shërbeu si justifikim për themelimin e një strukture të jashtëzakonshme gjyqësore për shqiptarët e Kosovës. Por e vërteta është që nuk kishte asnjë provë sepse nuk pati kurrë trafik organesh. Kjo, sepse ishte një fabrikim politik.
Për çudi, prokuroria e kësaj gjykate kishte seli edhe në Beograd dhe bashkëpunoi me ata që ende nuk kanë kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë. Madje, në përpjekje për të ndërtuar narrativën e fajit është tentuar edhe të manipulohen raste me skelete të rrejshme, janë kërkuar dëshmitarë me pagesë, janë gjetur dëshmitarë të rrejshëm, janë fabrikuar histori por kurrë nuk janë gjetur fakte. E kjo nuk është më vetëm çështje individuale. Kjo është përpjekje që përmes dënimit të çlirimtarëve, të vihen në dyshim vetë liria dhe shtetësia e Kosovës. Sepse kur e kriminalizon luftën për çlirim i jep të drejtë atij që pushtoi, jo atij që u çlirua.
Qe pesë vite po terrorizohet një popullatë e tërë me një proces ku shkilen të drejtat bazike të të akuzuarve: Vitet e pafundme paraburgim pa aktgjykim, dëshmitarë të fshehur dhe materiale të klasifikuara, drejtësi selektive që nuk njeh as krimet serbe, as gjenocidin e shumë të tjera. Këtu po tentohet të dënohet simboli i rezistencës, jo për atë që kanë bërë, por për atë që përfaqësojnë: lirinë e Kosovës.
Çlirimtarët nuk janë fajtorë. Ata janë themeluesit e shtetit. Ata janë ndërgjegjja e një populli që nuk u gjunjëzua as para tankeve, as para varfërisë, dhe nuk duhet të gjunjëzohet as sot para kësaj hipokrizie.
Sot, çdo qytetar i Kosovës duhet të reflektojë thellë dhe të pyes veten: Si mund të hesht përballë kësaj padrejtësie? A do të lejojmë që historia jonë të përmbyset? A do të pranojmë që lufta për liri të trajtohet si krim?
Sikurse gjykatat politike të Serbisë së viteve ’90 që shpallnin fajtorë duke fabrikuar fakte edhe sot Gjykata Speciale po vazhdon me të njëjtin mentalitet: ta trajtojë çlirimtarin si kriminel dhe luftën për çlirim si shkelje të ligjit. Në vend që të dallojë midis agresorit dhe viktimës, ajo po vendos një barazi të rrejshme morale dhe në këtë mënyrë, po i jep një dimension më të sofistikuar të së njëjtës padrejtësi që dikur ndëshkonte shqiptarët për guximin për të qenë të lirë.
Çfarë mesazhi po i jepet qytetarit të Kosovës nga kjo drejtësi ndërkombëtare? A duhet ta quajmë të paanshme një gjykatë që u themelua mbi një gënjeshtër si mitin e “shtëpisë së verdhë” dhe „trafikimit të organeve“ të cilat u përgënjeshtruan? Ironikisht, ndonëse kjo ishte arsyeja kryesore për themelimin e gjykatës, ajo kurrë nuk e hetoi këtë akuzë, sepse nuk kishte asnjë fakt. E megjithatë, gjykata mbeti. Qëllimi ndryshoi. Objektivi mbeti i njëjtë: ta gjykojë luftën për çlirim.
Dhe aty ku mungonin provat, hyri në veprim një tjetër logjikë e rrezikshme: ajo e ndërtimit të fakteve gjatë rrugës. Prokuroria e kësaj gjykate, në vend se të mbështeste një aktakuzë mbi prova të forta dhe të pakontestueshme, u përfshi në përpjekje për të mbledhur dëshmi edhe pas ngritjes së aktakuzës duke kërkuar dëshmitarë të gatshëm për pagesë, duke bashkëpunuar me struktura në Beograd, duke tentuar të përdorë skelete të rrejshme, e madje duke përfshirë dëshmitarë të rrejshëm, që më vonë e kanë pranuar manipulimin. Ky është jo vetëm abuzim i standardeve të drejtësisë, por degradim i vetë parimeve mbi të cilat ajo pretendon të mbështetet.
A është kjo drejtësi? A është kjo paanshmëri?
Nëse kjo është drejtësia e shteteve ligjore atëherë ne nuk duam të jemi si ju. Askush nuk do një drejtësi të politizuar. Askush nuk do drejtësi të selektuar. Asnjë qenie normale nuk pranon që një luftë e drejtë për mbijetesë dhe dinjitet të përkufizohet përmes logjikës së atyre që deshën të na zhduknin.
Andaj këtu kërkohet vetëm një gjë: drejtësi që nuk gjykon mbi gënjeshtra. Drejtësi që nuk kërkon faj aty ku ka pasur sakrificë. Drejtësi që nuk ndërtohet për të justifikuar dështimet politike ndërkombëtare.
#DrejtësiJoHakmarrje #JoGjykatëPolitike #ÇlirimtarëtNukPreken #LiriaNukËshtëFaj #EVërtetaDoDalë #KrenarPërUÇK #PadrejtësiNdërkombëtare #KosovaNukHesht #ThaçiËshtëLiri #StopDrejtësisëSelektive #UÇK