Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish ndaj kritikave të njerëzve të pushtetit.
Ai ka bërë me dije se përmes këtyre kritikave pushtetit po përpiqet t`i fsheh dështimet e qeverisjes.
Në profilin e tij në “Facebook”, Pacolli ka shkruar se e vërteta gjithmonë do të triumfojë.
“Njerëzit e pasinqertë, në përditshmërinë e tyre, janë të frustruar dhe të mbushur me inate e energji negative. Ata shpesh përmes gënjeshtrave dhe shpifjeve, përpiqen të fshehin dështimet e tyre duke sulmuar njerëz që gëzojnë rezonancë e reputacion, njerëz të drejtë, puntor dhe të suksesshëm. Pa skrupuj dhe pa ndjenjë përgjegjësie, ata synojnë të largojnë vëmendjen nga e vërteta e tyre e hidhur. Por, e vërteta gjithmonë del në dritë dhe triumfon mbi çdo gënjeshtër. Ndërsa gënjeshtra ka jetë të shkurtër dhe një fund të pashmangshëm. Suksesi dhe sinqeriteti i vërtetë janë të përhershëm dhe nuk kanë nevojë për justifikime – arritjet flasin vetë!”, ka shkruar Pacolli.