19.7 C
New York
Monday, May 19, 2025

Buy now

Pacolli reagon ndaj bllokadës në Kuvend: Për keqardhje, Albulena Haxhiu është dashur të tërhiqet menjëherë

Behgjet Pacolli, Kryetari i Aleancës Kosova e Re, ka reaguar ndaj bllokadës në Kuvend të Kosovës, për të cilën ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje e cila është partia më e madhe për nga numrat.

“Nëse kandidatja e propozuar për kryetare Kuvendi nuk gëzon konsensus ose krijon përplasje politike, atëherë ajo është dashur të tërhiqet menjëherë për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re dhe funksionale”, tha Behgjet Pacolli.

Postimi i plotë:

Çfarë loje po luan magjoranca?

Është për të ardhur keq dhe për t’u turpëruar se si mazhoranca ende nuk po kupton që qytetarët ia kanë dhënë besimin për të qeverisur me përgjegjësi – jo vetëm për të zbatuar politika dhe reforma, por edhe për të zgjidhur me urgjencë problemet institucionale kur ato shfaqen. Moskonstituimi i Kuvendit është një krizë serioze kushtetuese dhe institucionale, dhe zgjidhja e saj nuk mund të vonohet më. Ky është një problem që kërkon përgjigje të menjëhershme dhe vendimmarrje të guximshme – e para dhe mbi të gjitha nga mazhoranca.

Mazhoranca nuk mund të fshihet pas alibive politike. Ajo është bartësja e legjitimitetit dhe përgjegjësisë për funksionimin e institucioneve. Opozita, sado e zëshme të jetë, ka një rol dytësor në këtë proces. Nëse kandidatja e propozuar për kryetare Kuvendi nuk gëzon konsensus ose krijon përplasje politike, atëherë ajo është dashur të tërhiqet menjëherë për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re dhe funksionale.

Nuk kuptohet se si kandidatja nuk ka reflektuar pas gjithë këtyre refuzimeve të njëpasnjëshme. Kur një person refuzohet tetëmbëdhjetë herë për të njëjtin post, është e qartë se nuk është e dëshiruar – as nga opozita, ndoshta as nga një pjesë e vetë mazhorancës. Rënia e saj në këtë pikë tregon një mungesë vetëdijeje politike dhe etike. Kjo këmbëngulje e pakuptimtë, më shumë sesa ambicie, po shndërrohet në pengesë për funksionimin e shtetit.

Përkundrazi, mazhoranca po e shndërron këtë proces të rëndësishëm në një lojë të brendshme force, ku kandidatja po trajtohet si “guxhja” e radhës në një lojë të lodhur të “guxhave”, siç e quajnë me ironi qytetarët. Kjo qasje është tallje me institucionet dhe me qytetarët që presin rezultate, jo spektakël politik.

Kam frikë se qytetarët ende nuk e kanë kuptuar se partia fituese e zgjedhjeve po e trajton Kosovën siç e trajtojnë hijenat viktimën. Kosova po përballet me probleme serioze për shkak të mungesës së lidershipit, dhe për këtë po i vuajmë pasojat — pasoja që, për fat të keq, pritet të jenë edhe më të rënda.

Të ngjashme

Të fundit