Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se dashuria për vendin dhe vlerësimi i punës së tjetrit është fisnikëri dhe dashuri.
Derisa në profilin e tij në “Facebook” ka postuar shume fotografi me liderë të vendeve të ndryshme të botes, ai ka shkruar se historia nuk mund të harrohet dhe faktet flasin vetë.
Deputeti Pacolli është shprehur krenar që i ka shpërblyer Kosovës.
“Mëria, inati, urrejtja dhe xhelozia janë përjetime të pakëndshme, pothuajse torturuese për atë që i mban në zemër. Përkundrazi, dashuria për vendin, vlerësimi i punës së tjetrit dhe falënderimi janë shenja fisnikërie dhe pjekurie. Megjithatë, historia nuk mund të harrohet dhe faktet flasin vetë. Ajo që kemi bërë për vendin tonë është për të gjithë ne, jo për individët që shfaqen apo heshten në momente të caktuara”, ka shkruar Pacilli, duke shtuar se zemra e tij është e pastër.
“Jam krenar që kam pasur privilegjin dhe përgjegjësinë e madhe të shërbej për vendin tim, duke dhënë çdo grimcë të energjisë për të sjellë rezultate konkrete. Nuk kam pritur dhe nuk pres as falënderime e as mirënjohje personale, sepse këtë punë nuk e kam bërë për t’u lavdëruar, por sepse ndjeva që ky ishte misioni im. Mësoj nga e kaluara dhe ec përpara, gjithmonë me kokën lart. Sepse zemra ime është e pastër dhe dashuria për Kosovën është mbi çdo gjë tjetër”, ka shkruar Pacolli.