Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli e ka quajtur populiste gjuhën e presidentes Vjosa Osmani karshi zëdhënësit të BE-së, Peter Stano derisa pohon se kjo gjë mund të ketë pasoja.
Osmani në një paraqitje për media, ka pohuar se zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, po jep deklarata raciste karshi Kosovës edhe në çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
“Sa i përket Bashkimit Evropian deklaratat e zëdhënësit të këtij institucioni janë mbi të gjitha raciste kështu që as nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaurar në raport të atyre deklaratave të tyre raciste nuk ka as një arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës së Ibrit në Bruksel”, ka thënë Osmani.
Pacolli në një reagim të shtunën në Facebook, dyshon se presidentja Osmani “me fjalët dhe me gjuhën e saj populiste, duke ofenduar të tjerët, mund të kontribojë në zgjidhjen e problemeve në Kosovë”.
“Po dyshoj se Presidentja Osmani, me fjalët dhe me gjuhën e saj populiste, duke ofenduar të tjerët, mund të kontribojë në zgjidhjen e problemeve në Kosovë. Pavarësisht se kush është dhe nga vjen zoti Stano, ai sot mban një post të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm në influencimin (ndikimin) e opinionit ndërkombëtar, pro ose kundër Kosovës”.
Të quash deklaratat e tij RACISTE është një qëndrim që mund të ketë pasoja. Zoti Stano përfaqëson konkluzionet e Bashkimit Europian, me të cilin Kosova është e lidhur në mënyrë vitale.
Ai thotë se këto deklarata nuk i sjellin asgjë Kosovës veçse mbetet një “shprehje pseudo-patriotike, primitive, vetëm për konsum të brendshëm në qarqët e mbështetësve te juaj”.
“Nuk e di se çfarë do t’i sjellin deklarata të tilla Kosovës, por jam i sigurt që nuk do të sjellin asgjë të mirë, dhe si e tillë deklerata e juaj mbetët vetëm një shprehje pseudo-patriotike, primitive, vetëm për konsum të brendshëm në qarqët e mbështetësve te juaj. Kjo gjë nuk është e mirë për një shtet modern dhe dinjitoz për çka ne pretendojmë. Siq e pamë, pas deklaratës së presidentes erdhi, prompt “paralajmerimi” se Kosova mund te mbetet e vetmuar. Ju lutem, mos i mbyllni dyrët, ato novoitet të mbetën hapur!!”, shkruan Pacolli.