Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka pranuar se deputet të këtij Grupi Parlamentar kanë kundërshtuar që kreut të Nismës Fatmir Limaj t’i jepet posti i kryetarit të Kuvendit.
Ajo ka thënë se Kurti e Limaj kanë diskutuar për këtë , por që Kurti i ka thënë se duhet të diskutojë me organet e partisë.
Pacolli në Tëvë1 ka thënë se pas një diskutimi brenda Grupit Parlamentar është vendosur që të propozojnë Albulena Haxhiun.
“Është diskutua brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe është vendos që në të kemi kandidate, Albulena Haxhiun”
E pyeur nëse ka pas deputet të LVV-së që nuk do ta votonin Limajn për kryeparlamentar ajo ka pohuar një gjë të tillë.
“Ka pasur, ka pasur. Ne kemi diskutua, kemi mendua që forma më e mirë, zgjidhja më e mirë është që ne të kemi kandidatin tonë për Kryetar të Kuvendit dhe këtë formë ka ardh propozimi për Haxhiun”, ka thënë Pacolli në emisionin “InfoNata”.
E pyetur nëse kundërshtimet kanë ardh nga partneret e koalicionit Guxo dhe Alternativa, ajo ka thënë se në Grup Parlamentar i marrin vendimet si shumicë dhe nuk ka ndarje të tilla partiake.
Nisma Socialdemokrate ka shprehur qëndrim se nuk është e interesuar të jetë pjesë e Qeverisë Kurti3, por se do ta votonte nëse e merr postin e Kryetarit të Kuvendit.
Por, qëndrim të kundërt ka LVV-ja. Nga kjo parti i kanë ofruar poste në ekzekutiv, por jo kryeparlametarin.
E pavarësisht këtyre qëndrimeve, Pacolli thotë se janë në diskutime.
Jemi në diskutime të vazhdueshme, ata kanë kërkesat e tyre ne kemi qëndrimet tona, besoj se do të gjendet një zgjidhje po të shohim si do të zhvillohet situata”, tha ajo.
Për propozimin e kësaj partie që vendi të shkojë në zgjedhje lokale dhe parlamentare në të njëtnë kohë, Pacolli ka thënë se synim e kanë konstituimin e Kuvendit së më shpejtë, por nëse nuk ka marrëveshje, zgjedhjet janë zgjidhja e vetme.
“Synim i Lëvizjes Vetëvendosje është konstituimi i Kuvendit së më shpejtë që është e mundur, prandaj kemi marrë hapat që kemi bërë deri sot. Mirëpo nëse nuk gjejmë zgjidhje, nëse s’marrim përgjigje nga Gjykata Kushtetuese e vetmja rrugëdalje janë zgjedhjet e reja dhe ne si LVV nuk i frikësohemi një gare dhe jemi të gatshëm për zgjedhje të reja”, ka thënë ajo.
Të mërkurën ka dështuar edhe tentimi i 30-të për konstituimin e Kuvendit.