Kandidati i PDK-së përt deputet, Fetah Paçarizi, e ka cilësuar “serioze dhe shqetësuese” dallimin në rezultatin e votave që u vërejt mes kandidatëve. Ai prin në dallimin pas rinumërimit me afro 6 mijë vota aktualisht.
“Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave dhe organe të drejtësisë, ajo që po ndodh gjatë procesit të rinumërimit të votave nga KQZ është serioze dhe shqetësuese. Kjo situatë ngre dyshime të arsyeshme mbi integritetin e numërimit dhe rinumërimit dhe cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”, shkruan ai në një postim në Facebook.
Ai thotë se “është i domosdoshëm rinumërimi i plotë i votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, në mënyrë që të garantohet transparenca, barazia dhe respektimi i vullnetit real të qytetarëve”, ndërsa tha se s’ka përgjegjësi.
“Dua të sqaroj qartë se jam i kyçur rishtas në politikë dhe nuk kam mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike. Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë. Prokuroria e Shtetit ka detyrim ligjor dhe moral të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale. Njëkohësisht, KQZ, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj. Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie. Kërkoj transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore”, shkroi ai.
Paçarrizi nuk kishte arritur të siguronte një mandat në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare, por para një jave i falënderonte ata që e kishin votuar.
“Qytetarë të nderuar, familjarë, miq e shokë, ndihem jashtëzakonisht i vlerësuar dhe i respektuar me 14,606 vota. Edhe pse të pamjaftueshme për të qenë në Parlament, por gjithsesi i nderuar dhe i vlerësuar tej mase që ma besuat votën tuaj të çmuar!”, shkruante ai në një postim në Facebook.
Paçarizi u bë më së shumti i njohur këto ditë, pasi u rinumëruan disa vota në një të tretën e vendvotimeve. Më 13 janar ishte vendosur të kishte rinumërim pasi u vërejten dallime në fletëvotimet me votat për kandidatët brenda subjekteve politike.
Kur janë numëruar mbi gjysma e votave që u vendos të rinumëroheshin, Paçarizi del i pari në një statistikë: ai ka më së shumti vota minus.
Kandidati i PDK-së për deputet, aktualisht gjatë rinumërimit ka 5,945 vota më pak sesa pas numërimit të parë. 14-mijëshi si numër i votave për të cilat ai i kishte falënderuar qytetarët, tani ka rënë në 8 mijë e 600.
Kur i falënderonte qytetarët për votat që thoshte se ia kishin dhënë, Paçarizi thoshte se për të viti 2025 ishte “fillimi i këtij rrugëtimi” dhe se nuk do të ndalej “së angazhuari dhe punuari për shoqërinë dhe vendin tim në cilindo vend pune, ku jam dhe mundë të jem në të ardhmen”.
Prokuroria Themelore e Prizrenit e ka autorizuar sot Policinë që t’i identifikojë përgjegjësit dhe të sigurojë prova, përfshirë procesverbale dhe nënshkrime, për t’i hetuar keqpërdorimet me vota.
Rinumërimi ka nxjerrë dallime prej qindra deri në mijëra vota për kandidatët brenda subjekteve politike.






