Trajneri i sapoemëruar i Al-Nassr, Jorge Jesus, ka deklaruar se nuk do ta kishte pranuar detyrën po të mos ishte për mundësinë që të drejtonte Cristiano Ronaldon.
Al-Nassr konfirmoi zyrtarisht emërimin e Jesus-it të hënën në mbrëmje, pas javësh spekulimesh që e lidhnin 70-vjeçarin me këtë post.
Para largimit nga Lisbona, trajneri portugez me përvojë deklaroi se po transferohej në një vend ‘ku gjithmonë ndihet i lumtur’.
Kjo do të jetë hera e tretë që Jesus drejton një klub në Arabinë Saudite, pasi më parë ka pasur dy periudha në krye të Al-Hilal.
Ai zëvendëson Stefano Piolin, i cili u largua nga klubi pas një sezoni zhgënjyes, ku Al-Nassr përfundoi në vendin e tretë në kampionat dhe u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të Azisë nga Kawasaki Frontale.
“Pa Cristiano Ronaldon, me siguri nuk do të isha aty. Motivimi është i madh. Al-Nassr ka nevojë të fitojë tituj, njësoj si Cristiano Ronaldo, i cili gjithmonë ka fituar gjithçka në klubet ku ka luajtur”.
“Deri tani, nuk ka fituar pothuajse asgjë me këtë klub, ndaj do të shoh nëse mund ta ndihmoj. Flasim të njëjtën gjuhë, jemi portugezë”, deklaroi Jesus.
Jesus ishte përfolur edhe për postin e trajnerit të përfaqësueses së Brazilit përpara se Carlo Ancelotti të zyrtarizohej në maj.
Ai ishte i lirë pas shkarkimit nga Al-Hilal, rivalët direktë të Al-Nassr në kampionatin arab.