28 C
New York
Sunday, June 29, 2025

Buy now

Pa marrëveshje për t’i dhënë fund bllokadës, sot tentativë e re për konstituimin e Kuvendit

- Advertisement -

Deputetët do të mblidhen sot (e diel) në një përpjekje të re, të 38-ën me radhë për ta konstituuar Kuvendin. 

Në seancën e së premtes, partitë politike janë pajtuar që ta ndërprejnë seancën pas një konsulte që mbajtën lidhur me aktgjykimin e Kushtetueses.

Palët u pajtuan që seanca e paraparë për të premten të mbahet pas takimit të Kurtit me krerët e partive politike, takim ky që u mbajt sot e që nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Pas më shumë se dy orësh diskutimesh, takimi i thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me liderët e partive parlamentare për të dalë nga ngërçi institucional, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, dolën nga takimi me kritika ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke e quajtur këtë takim një farsë dhe pa asnjë vullnet real për kompromis, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Në anën tjetër Kurti deklaroi se VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte ofruar dy opsione kompromisi, por ato ishin refuzuar nga ish-opozita. Ai theksoi se partia e tij ka përgjegjësi për formimin e qeverisë, por formimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.

Kurti akuzoi PDK-në dhe LDK-në për keqlexim të aktgjykimit të Kushtetueses.

“Kompromisi i parë ishte që në rast të votimit të fshehtë nëse Haxhiu nuk i merr 61 vota, siç tha edhe vetë Haxhiu dje, tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim i saj personal. Me votim të fshehtë për Haxhiun do të votohet pra vetëm një herë. Ne kemi lëvizur në situatën para së enjtes, por kjo nuk duhet se u kishte bërë përshtypje partive opozitare. Kompromisi i dytë që ua shpreha ishte që le ta bëjmë një marrëveshje politike e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj nëse kurrqysh nuk e duan votimin e fshehtë le ti delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision dhe ta rrëzojnë me votë këtë komision. Ne e dimë që partitë opozitare kanë treguar preferenca për emrat për kryeparlamentar, por kjo nuk është mënyra si ndërtohen shëndetshëm institucionet. Ne i bëmë këto dy kompromise që u refuzuan, por megjithatë takimi ia ka vlejtur sepse u sqaruan shumë gjëra, e një nga to që është e çuditshme dhe brengosëse, është që për bindjen time të fuqishme partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht”, tha Kurti.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.

Të ngjashme

Të fundit