Barcelona dhe Atalanta kanë ndarë pikët në “Camp Nou”, derisa Liverpooli u mposht në udhëtim te PSV-ja.
Katalunasit edhe pse ishin dy herë në epërsi nuk e ruajtën rezultatin, me epilogun përfundimtar që doli të jetë 2:2.
Lamine Yamal kaloi vendasit në epërsi me një gol të bukur pas asistimit të Raphinhas (47’).
Sidoqoftë, mysafirët u kundërpërgjigjen me Ederson që realizoi pas asistimit të Zappacostas (67’).
Megjithatë, Barcelona e ktheu prapë epërsinë. Këtë herë ishte Ronald Araujo që shënoi pas harkimit të Raphinhas (72’).
Por, skuadra italiane ia doli sërish të kthehet në lojë. Këtë herë ishte Pasalic që shënoi pas asistimit të De Roon (79’).
Në anën tjetër, Liverpooli ka pësuar humbje në udhëtim te PSV-ja, që ishte disfata e parë në këtë kampanjë të Ligës së Kampionëve. “Reds” u mposhtën me rezultat 2:3.
Cody Gakpo kaloi mysafirët përpara duke shënuar nga pika e bardhë (28’), por PSV u këndell shpejtë përmes Bakayokos (35’).
Liverpooli prapë e ktheu epërsinë, këtë herë me Elliott (40’), mirëpo vetëm pesë minuta më vonë holandezët e barazuan (45’) përmes Saibari.
Pepi pastaj doli të jetë heroi i PSV-së me një gol të bukur (45+6’).
Kësisoj, Liverpooli e mbyll fazën e ligës si lider me 21 pikë, dy mbi Barcelonën.