Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka uruar popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë publike, OVL-UÇK shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen historike të SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë, duke e cilësuar këtë ditë si të veçantë për “miqtë tanë të përhershëm”.
“Populli amerikan ka qenë gjithmonë përkrah nesh në momentet më të rënda historike. Mbështetja e SHBA-së ka qenë vendimtare, dhe roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm për Kosovën,” thuhet në urimin e organizatës.
OVL-UÇK ka falënderuar në mënyrë të veçantë ushtarët amerikanë që shërbejnë sot në Kosovë për përkushtimin dhe kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë.
“Ne, ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi gjithmonë ushtarë të lirisë, dhe në zemrën tonë, jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës. Kurdo që nevoja e drejtësisë apo miqësisë e kërkon, jemi të gatshëm të qëndrojmë përkrah SHBA-së,” përfundon mesazhi.
“Zoti e bekoftë Amerikën! Gëzuar 4 Korrikun!”.