OVL UÇK: Rritja e kostos së telefonatave në Hagë, goditje ndaj lidhjeve familjare

- Advertisement -

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka reaguar ashpër ndaj rritjes së kostos së komunikimit telefonik për ish-bashkëluftëtarët që po mbahen në Hagë, duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe çnjerëzor.

Sipas reagimit, për personat që ndodhen në paraburgim larg familjeve të tyre, telefonatat nuk janë luks, por një nevojë thelbësore shpirtërore dhe emocionale. Ato përbëjnë të vetmen lidhje të drejtpërdrejtë me fëmijët, prindërit dhe bashkëshortet, të cilët po përballen me barrën e rëndë të ndarjes.

OVL UÇK thekson se shtrenjtimi i këtyre komunikimeve jo vetëm që rëndon financiarisht familjet, por përbën edhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj lidhjeve njerëzore dhe familjare, në një kohë kur mbështetja morale është më e nevojshme se kurrë.

Organizata shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për trajtimin që, sipas saj, po u bëhet ish-bashkëluftëtarëve në Hagë, duke përmendur edhe mohimin e së drejtës për të qëndruar pranë familjeve deri në një vendim përfundimtar.

Në fund të reagimit, OVL UÇK bën të ditur se do të vazhdojë të ngrejë zërin për secilin prej tyre, duke theksuar se ata nuk janë vetëm, “as sot, as kurrë”.

Të ngjashme

Të fundit