Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar me rastin e Ditës së Veteranëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për “reflektim shtetëror, respekt institucional dhe përulje ndaj sakrificës së atyre që kontribuan në çlirimin e vendit”.
Në një postim në Facebook, OVL UÇK thekson se “për pesë vite me radhë, qeveria aktuale ka lënë luftëtarët e UÇK-së pa pension meritor, duke cenuar dinjitetin e atyre që rrezikuan jetën për liri. Kjo është bërë me vetëdije dhe me interesa politike, në bashkëpunim me Listën Serbe”.
Sipas reagimit, “janë toleruar deklarata fyese dhe denigruese ndaj veteranëve, të cilët shpesh janë etiketuar dhe trajtuar si barrë, pa mbështetje nga institucionet shtetërore”.
Madje, sipas OVL UÇK-së, është thënë publikisht se “më mirë të paguheshin mercenarët sesa ata që çliruan vendin”.
Organizata vlerëson këtë si një politikë të qëllimshme dhe të organizuar kundër UÇK-së. Veteranët, sipas OVL UÇK-së, nuk janë nderuar as simbolikisht, pasi nuk janë organizuar aktivitete shtetërore dhe as vizita në varret e dëshmorëve.
Kjo, sipas tyre, përbën një qëndrim politik dhe tregon një përpjekje të shtetit për t’u shkëputur nga trashëgimia e luftës çlirimtare.
Në përfundim, OVL UÇK u kujton institucioneve se “Kosova nuk është krijuar nga neutraliteti, administrata apo konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”.






