Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) në Shtime ka kërkuar që të ruhet historia e UÇK-së në përkujtimin e të bëmave të Ushtrisë Çlirimtare në Zonën Operative të Nerodimes kur ndodhi Masakra e Reçakut, më 15 janar 1999.
“Në përpjekje për ta mbrojtur popullatën e rrezikuar, në mënyrë fatale nga barbarët serbë kanë rënë dëshmorë, janë plagosur ushtarë të UÇK-së në këto beteja nga 15 janari deri më 20 janar 1999. Më 19 janar, saktësisht në mbrojtje të kufomave të të masakruarve në Reçak, ka rënë dëshmor edhe Komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku. Po në këto luftime edhe zyrtarisht serrbia ka pranuar humbjet e veta në polic e oficer të tyre”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL-UÇK-së në ‘Facebook’.
Ata kanë përkujtuar edhe angazhimin e ish-ambasadorit William Walker që t’i tregojë botës për Masakrën e Reçakut.
“Wiliam Walker i tha të vërtetën botës duke e dëshmuar me autoritetin, filmimet, fotografit dhe të gjitha provat mjeksore të marrura në vendin e ngjarjes me ndihmën e ekipit mjekësorë të ZON-ës, me të ndjerin Dr.Vezir Bajrami, ku i’u bë përshkrimi i të gjitha viktimave dhe dëmtimeve. Kjo ngjarje me përmasa të mëdha tash më të njohura botërisht e pengoi Serbin dhe Beogradin”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL-UÇK-së së Shtimes.
Reagimi i tyre vjen pasi Zyra e Kryeministrit ia ka mohuar OVL-UÇK-së dhe kryetarit të fshatit të Reçakut, Adem Ramadani të mbajë fjalim në organizimin përkujtimor të Masakrës së Reçakut.
Në fjalimin e tij, dorëzuar Zyrës së Kryeministrit, u përmendën ish-krerët e UÇK-së dhe mungesa e dënimit të serbëve që kryen masakrën në Reçak..