Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, u ka bërë apel veteranëve që të kenë kujdes kur udhëtojnë jashtë Kosovës, që të mos kalojnë npër Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi, raporton Gazeta Demos.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook, Klinaku ka thënë se shteti serb po i freskton listat dhe po i fut veteranët në Interpol, në bazë të të cilave po i arrestojnë në shtete të ndryshme.
“Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të kenë kujdes kur udhëtojnë jashtë Kosovës, e sidomos të mos udhëtojnë nëpër Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, sepse pushtuesi serb vazhdimisht po freskon listat, duke i futur në Interpol apo Europol”, ka thënë Klinaku.
Së fundi ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, u arrestua nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në bazë të fletarrestit të lëshuar nga Serbia në Interpol. Megjithatë, Ramadani u lirua të enjten me kusht, duke e detyruar që të qëndrojë në Shkup, deri në një vendim tjetër.