Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj gjuhës së urrejtjes në Kumanovë.
Në një njoftim për medie, OVL e UÇK-së thekson se në Maqedoninë e Veriut është zhvilluar luftë për të drejta, për barazi, për dinjitet. “Cenimi i këtyre të drejtave themelore sot, përmes thirrjeve antishqiptare në stadiume, është një provokim i papranueshëm dhe i rrezikshëm”.
OVL e UÇK-së tutje nënvizon se destabiliteti nuk i shërben askujt, e aq më pak kur vjen nga tribuna që duhet të ishin hapësira të bashkimit dhe respektit mes njerëzve, pa dallim etnie, race apo përkatësie.
“Kur sporti, që duhet të bashkojë, kthehet në arenë urrejtjeje, atëherë rrezikohet vetë kohezioni shoqëror. Prandaj i bëjmë thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të reagojnë ashpër, të distancohen qartë dhe të tregojnë se nuk qëndrojnë prapa atyre skenave, por i dënojnë dhe i ndalojnë”, thuhet në njoftim.
Më tej, OVL e UÇK-së thekson se kontributi për paqe dhe stabilitet është detyrim për çdo shtet që synon demokraci e integrim. “Heshtja në këso raste është bashkëfajësi”, thuhet në fund të njoftimit.