Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj përgjigjes që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kanë bërë Rezolutës së Kuvendit për ish-krerët e UÇK-së.
Kjo organizatë thotë se përgjigjja e DhSK-së nuk mund të trajtohet si një akt i thjeshtë formal.
“Reduktimi i kësaj rezolute në një njoftim administrativ, pa reflektim të dukshëm në përmbajtje, përbën një qasje të papranueshme ndaj institucionit që vetë ka themeluar këtë gjykatë”.
“Kujtojmë se Dhomat e Specializuara burojnë nga vendimmarrja e Kuvendit të Kosovës dhe, si të tilla, nuk mund të sillen sikur janë të shkëputura nga vullneti politik dhe sovran i tij. Një përgjigje që në thelb përkthehet si ‘e kemi marrë në dijeni, por veprojmë sipas tonës’ është jo vetëm zhgënjyese, por edhe e dëmshme për besimin në drejtësi”, tha OVL-UÇK.
Organizata e Veteranëve të Luftës tha se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë dhe të domosdoshme për liri, dhe theksoi se udhëheqësit e saj meritojnë trajtim me dinjitet dhe barazi të plotë.
“Çdo proces që injoron këtë realitet dhe vazhdon të rëndojë padrejtësisht mbi Kosovën, nuk i shërben as drejtësisë dhe as paqes”, u tha në këtë reagim.
OVL UÇK kërkoi që Rezoluta e Kuvendit të trajtohet me seriozitet të plotë dhe të reflektohet në vendimmarrje konkrete.
“Respektimi i sovranitetit dhe i institucioneve të Kosovës nuk është opsion, por detyrim”, përfundoi OVL-UÇK.
Sipas një komunikimi zyrtar të publikuar nga Nacionale, Trendafilova konfirmoi pranimin e Rezolutës por jo diçka më shumë duke theksuar se legjislacioni i Dhomave garanton gjykim të drejtë dhe pavarësi gjyqësore.
“Me këtë e pranoj marrjen e Rezolutës Nr. 10-R-001, të miratuar më 12 shkurt 2026, që ka të bëjë me procedurat gjyqësore para Dhoma të Specializuara. Korniza ligjore që rregullon Dhomat e Specializuara, ashtu siç është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përfshin standardet ndërkombëtare të njohura të gjykimit të drejtë dhe garancive të fuqishme të pavarësisë gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Trendafiloves.






