Nga listat e Serbisë me emrat e ish pjesëtarëve të UÇK-së, nuk po i frikësojnë kategoritë e dala nga lufta. Vërtetësia e këtyre listave, nuk është e konfirmuar. E ish pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani që po mbahet nën arrest shtëpiak në Maqedoni të Veriut, vizitohet nga gruaja e tij. Familja shpreson se mund të ketë lëvizje në çështjen e tij.
Në media po qarkullojnë disa lista me emrat e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kërkohen nga Serbia përmes Interpolit.
Një konfrimim zyrtar për këtë listë nuk ka, madje as nga Interpoli.
Për këto lista, në të cilat ka emra edhe të pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës, Policisë e Forcave Mbrojtëse, që në vitet e 90-ta kishin qenë pjesë e UÇK-së, nuk kanë dhënë qëndrim as institucionet në Kosovë.
Mirëpo të heshtur, nuk po qëndrojnë kategoritë e dala nga lufta.
Ata nuk frikësohen edhe pse janë pjesë e këtyre listave, por që sidoqoftë bëjnë thirrje për kujdes në lëvizjet jashtë vendit.
“Edhe unë jam pjesë e kësaj liste, por nuk më shqetëson asnjë kokërr. Nuk e kam atë problem. Deri në ditën e sotit nuk kam pas asnjë telashe, kam udhëtu unë edhe në Maqedoni, e nuk e kam pas ndonjë telashe. Por tash, është normale që duhet me pasë pak kujdes, sepse Serbia t’i maltretoj e të shkep lista”, ka thënë Enver Hajdari nga OVL e UÇK-së.
Fatin e njëjtë nuk e pati Blerim Ramadani.
Ai rreth një muaj më parë, u arrestua në një vendkalim kufitar me Maqedoninë e Veriut, pas një fletarresti të lëshuar nga Serbia.
Aktualisht, ish pjesëtari i UÇK-së, ndodhet në arrest shtëpiak, e që familja pret të ketë lëvizje.
“Unë sot isha në Shkup. E takova Blerimin, ai është në gjendje të mirë. Ai ndodhet në arrest shtëpiak në Shkup, e priten konsultime dhe bisedime që të bëjnë gjatë kësaj jave”, ka thënë Valbona Ramadani bashkëshortja e Blerimit.
E në Serbi, për muaj të tërë po mbahen në paraburgim ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.