Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar pas takimit me përfaqësuesit e partive politike se ekziston rreziku i zhvillimit të dy palëve zgjedhjeve të afërta, në rast se pas zgjedhjeve parlamentare dështon zgjedhja e presidentit nga Kuvendi.
Ajo ka shpjeguar se kjo çështje është ngritur nga disa prej pjesëmarrësve në takim, duke theksuar se, nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor dhe qeveria formohet pas disa muajsh, ekziston mundësia që në rast të dështimit për zgjedhjen e presidentit, vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
“Ta zëmë se zgjedhjet mbahen në dhjetor, dhe pas disa muajsh formohet qeveria. Nëse dështon zgjedhja e presidentit, menjëherë mund të kemi nevojë për zgjedhje të reja. Një situatë e tillë u përmend si paralajmërim se mund të kemi dy palë zgjedhje të afërta”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se mbështet plotësisht idenë që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga populli, duke e konsideruar këtë si mënyrën më të mirë për të shmangur krizat politike dhe për të reflektuar vullnetin qytetar.
“Zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do ta evitonte nevojën për zgjedhje të reja parlamentare. Pashë një vullnet nga partitë që kjo çështje të shqyrtohet seriozisht. Kërkon ndryshim kushtetues, por nuk është diçka e pamundur”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se ideja për zgjedhje presidenciale direkte do të forconte demokracinë dhe do të siguronte stabilitet më të madh institucional në vend.

 
                                    




